Votuesit në Shqipëri do të votojnë të dielën e 25 prillit, për t’i zgjedhur 140 anëtarë të një parlamenti të ri, pas një fushate të tensionuar e të shoqëruar nga polemika të nxehta, e cila kulmoi me një vrasje. Një total prej 5 mijë e 199 qendrash votimi do të hapen në 7 të mëngjesit për zgjedhjet parlamentare të vendit, me mbi 3 milionë e 588 mijë votues të regjistruar. Diplomatët e huaj kanë kërkuar përmbajtje nga aktet e dhunës
Qytetarët e Shqipërisë nesër do t’u drejtohen kutive të votimit në zgjedhjet parlamentare të cilat konsiderohen ndër më të rëndësishmet për të ardhmen e Shqipërisë drejt integrimit evropian. Atyre u ka paraprirë një fushatë agresive mes partisë në pushtet dhe koalicionit të bashkuar rreth së djathtës, të cilat kulmuan me një vrasje në Elbasan.
Megjithëkëtë, analistët nuk parashohin ndonjë incident të madh i cili do t’i cenonte zgjedhjet, përkundër retorikës së ashpër.
“Në përgjithësi duket se do të jetë një proces pa probleme substanciale, ndonëse në nivelet e larta të politikës ka gjuhë të konfliktit verbal. Madje, në këtë debat është përfshirë edhe presidenti i Republikës, që duket se është në pozicion opozitar”, ka thënë Aleksandër Çipa, analist dhe udhëheqës i Unionit të Gazetarëve të Shqipërisë.
Sipas Çipës, ky agresivitet vjen, për shkak të mundësisë së një rotacioni politik. Ai ka përmendur edhe risitë që mund të sjellë ky proces.
“Ky rivalitet mbetet për t’u dëshmuar. Ajo që është e sigurt në këto zgjedhje është cilësia e përfaqësimit parlamentar. Pra, nuk do të krahasohet me këtë që është aktual, ndonëse kthehet bipolariteti i skenës politike me dy forca dominante. E vetmja risi është se do të mund të përfshihen dy apo tri parti që më herët nuk kanë qenë në parlament”, ka theksuar ai.
Edhe
Partitë në Shqipëri s’i ndalin kundërakuzat as në heshtje, diplomatët kërkojnë përmbajtje
Sa i përket koalicionit, Çipa ka thënë është herët të flitet.
“Por, nëse merren parasysh qëndrimet e palëve dhe diferenca mes tyre, pra nëse është e ngushtë, mund të ketë probleme me procesimin kushtetues. Siç e dini, presidenti Meta është deklaruar se nuk ia jep mandatin e tretë Ramës dhe kjo krijon një ngërç institucional”, ka deklaruar ai.
Partia Socialiste (PS), e drejtuar nga kryeministri Edi Rama, kërkon një mandat të tretë qeverisës. Partia Demokratike (PD), e drejtuar nga Lulzim Basha, që kryeson koalicionin opozitar, kërkon ta marrë ajo drejtimin e vendit, pas 8 vjetësh në opozitë.
Tensionet e fushatës
Akuzat dhe përplasjet nuk kanë munguar as në ditën e heshtjes zgjedhore, ku PD-ja në Sarandë akuzoi partinë në pushtet se të shtunën ka shpërndarë leje legalizimi.
Aktiv ka qenë edhe presidenti Ilir Meta, i cili në dy konferenca për media ka ftuar prokurorinë që ta zbardhë sa më shpejt vrasjen në Elbasan.
Thirrjet e fundit për përmbajtje i kanë bërë edhe diplomatët e huaj, derisa ambasadorja e SHBA-së, Yuri Kim, të shtunën ka takuar kryetarin e PD-së, Basha.
Ambasadorja ka thënë se nuk mbështet asnjë kandidat apo parti politike.
“Takova sot kryetarin e PD-së, Lulzim Basha, njësoj siç jam takuar me presidentin Ilir Meta dhe kryeministrin Edi Rama në 48 orët e fundit. Ne e përsërisim se nuk mbështesim asnjë parti apo kandidat. Por, ne absolutisht mbështesim të drejtën e të gjithë qytetarëve për të votuar të lirë dhe në paqe”, ka shkruar ajo.
Në një postim tjetër në Facebook, Ambasada amerikane në Tiranë ka theksuar se është gati ta bëjë vëzhgimin e zgjedhjeve në të gjithë Shqipërinë.
“Ne do t’i monitorojmë si qendrat e votimit, ashtu edhe ato të numërimit gjatë gjithë procesit. Ne do të jemi atje derisa puna të jetë e kryer”, thuhet në postimin e Ambasadës amerikane.
Ditët e fundit të fushatës u shoqëruan me dhunë serioze dhe një fatalitet në qytetin e Elbasanit, pasi përkrahësit e dy partive më të mëdha u përplasën më 14 mars, si për ironi kur Rama dhe Basha po vizitonin qytetin me rastin e Ditës së Verës.
Pjerin Xhuvani, një emër i njohur në komunitet, që kishte qenë një politikan lokal për LSI-në, por që së fundmi u bashkua me PS-së, u qëllua për vdekje të mërkurën në rrethana të paqarta.
Edhe
Zgjedhjet në Shqipëri pa incidente që e cenojnë procesin
Ndërkohë, Komisioni Qendror Zgjedhor ka filluar shpërndarjen e materialeve zgjedhore nëpër Komisionet e Qendrave të Votimit.
Zgjedhjet parlamentare të vitit 2021 zhvillohen me një kod zgjedhor që ka pësuar ndryshime dhe është përmirësuar, sipas rekomandimeve të OSBE/ODIHR-it. Dy ndryshimet kryesore janë hapja e listave të kandidatëve, si dhe identifikimi biometrik i votuesve.
Votuesit në Shqipëri do të votojnë për t’i zgjedhur 140 anëtarë të një parlamenti të ri. Nga të dhënat e Drejtorisë së Përgjithshme të Gjendjes Civile, të drejtën e votës e kanë mbi 3 milionë e 500 mijë shqiptarë.
Një total prej 5,199 qendrash votimi do të hapen të dielën në 7 të mëngjesit për zgjedhjet parlamentare të vendit me 3,588,869 votues të regjistruar, ndërsa Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka akredituar më shumë se 3,000 vëzhgues afatshkurtër, afatgjatë dhe të mediave nga organizatat lokale dhe ndërkombëtare, përfshirë OSBE/ODIHR. Njerëzit në vend që janë aktualisht të sëmurë me COVID-19 nuk do të jenë në gjendje të votojnë, pasi nuk ka një infrastrukturë të përshtatshme sigurie që ata të votojnë. Kryeministri Edi Rama u ka bërë thirrje atyre që “të qëndrojnë në shtëpi” ditën e zgjedhjeve.
Shumë shqiptarë s’mund ta ushtrojnë të drejtën e votës
Megjithëse të gjitha palët premtuan ta ndryshonin këtë për vite me radhë, edhe këtë herë, për shkak të dështimit për ta miratuar legjislacionin e nevojshëm, shqiptarët e diasporës nuk do të mund të votojnë. Partitë politike fajësojnë njëra-tjetrën për këtë dështim.
Një urdhër i ri nga qeveria në fillim të kësaj jave, që urdhëron karantinë për personat që vijnë nga Greqia dhe Maqedonia e Veriut, shihet si një pengesë tjetër për të votuar, duke penguar shumë shqiptarë që jetojnë në Greqi të votojnë. Komuniteti në Greqi përfaqëson një nga pjesët më të mëdha të diasporës shqiptare.
Integrimi në BE vs. projektet e mëdha të infrastrukturës
Rama e ka përqendruar fushatën e tij në vaksinimin e popullsisë nga COVID-19, në rindërtimin e shtëpive të dëmtuara nga tërmeti i nëntorit 2019 dhe “projekte të tjera”, kryesisht të lidhura me aeroportet. Ai së fundmi inauguroi një aeroport të ri në Kukës dhe nënshkroi një marrëveshje të re për një aeroport tjetër në Vlorë me një konsorcium kompanish, përfshirë “Mabetex”, në pronësi të manjatit të kthyer në politikan të Kosovës, Behgjet Pacolli, dhe një kompani turke, YDA.
Basha e ka përqendruar fushatën e tij për integrimin e Shqipërisë në BE, te ndalimi i emigracionit masiv dhe ndihmë për bizneset.
Të pavarurit e provojnë fatin
Disa kandidatë të pavarur po garojnë në zgjedhje në Tiranë, Lezhë dhe Gjirokastër, tre prej tyre të mbështetur nga Lëvizja Vetëvendosje në Shqipëri, lëvizja simotër e partisë qeverisëse të Albin Kurtit në Kosovë.
Edhe
Zgjedhje në pesë bashki, Rama bën thirrje për dalje në zgjedhje
Rama gjatë fushatës nuk pranoi ta komentonte veprimin e Kurtit kur u pyet nga gazetarët në Shqipëri. Tha se këtë do ta bëjë pas 25 prillit.
Një tjetër kandidat i pavarur, Elton Debreshi, nga komuniteti i minatorëve, po kandidon në Bulqizë të Qarkut të Dibrës, duke kërkuar kushte më të mira dhe status më të lartë për minatorët në Shqipëri.