Më shumë se tre muaj nga betimi e pa kryer ndonjë punë, deputetët e legjislaturës së nëntë kanë nisur pushimin.
Nga e diela e më së largu deri më 8 gusht, Gjykata Kushtetuese ka ndaluar çfarëdo veprimi apo vendimi nga Kuvendi. Kjo masë e përkohshme u vendos derisa ky institucion të shqyrtojë tri lëndët që ka në trajnim në lidhje me konstituimin e Kuvendit.
Eugen Cakolli, hulumtues në Institutin Demokratik të Kosovës, pret që Kushtetuesja të ndëshkojë legjislaturën e nëntë për moskonstituim brenda afatit kushtetues prej 30 ditësh, me përfundimin e saj.
“Unë pres dhe besoj që Gjykata Kushtetuese në kuadër të përcaktimit të pasojave juridike të përcaktojë që meqenëse Kuvendi ka dështuar ta përmbushë obligimin e tij kushtetues, i njëjti ka humbur legjitimitetin për të ekzistuar në përbërjen aktuale. Kjo nuk nënkupton marrje të mandateve individualisht për deputetët, por humbje të mandatit të Kuvendit si institucion kushtetues”, tha Cakolli.
Cakolli pret po ashtu që Gjykata të përcaktojë edhe se në çfarë mënyre duhet të zgjidhet kryetari i Kuvendit e të definojë kompetencat e udhëheqjes së seancës konstituive nga deputeti më i vjetër.
Të shtunën ka përfunduar afati 30-ditor i përcaktuar nga Kushtetuesja për konstituimin e Kuvendit. Në dy ditët e fundit u bënë tri përpjekje për të përmbyllur seancën konstituive, por pa rezultat.
Me këto tentime dështimet për konstituimin e Kuvendit arritën në 54 sish.
Kësisoj Kosovës i mungojnë institucionet e reja dhe që nga certifikimi i rezultateve të zgjedhjeve të 9 shkurtit është e drejtuar nga qeveria në detyrë. Sipas analistit Artan Muhaxhiri, në mungesë të institucioneve Kosova do të ketë pasoja në aspektin politik e ekonomik, të brendshëm e të jashtëm.
“Faktikisht ne vështirë se mund ta kemi idenë se sa kemi humbur me këtë bllokadë në të gjitha aspektet, në aspektin politik, në aspektin ekonomik, në aspektin e brendshëm, në aspektin e jashtëm. Pra, Kosova është duke humbur miq, Kosova është duke humbur imazh, Kosova do të duhej që të punojë shumë në mënyrë që të kthehet në pikën e 9 shkurtit, prej kur ka filluar kjo sagë. Është një humbje e jashtëzakonshme, humbja më e madhe është humbja e besimit të qytetarëve në klasën politike, në vendimmarrësit tanë”, tha analisti Artan Muhaxhiri.
Seanca konstituive e Kuvendit është hapur më 15 prill. Të zgjedhurit nga procesi zgjedhor i 9 shkurtit dhanë betimin katër ditë më vonë.