Nuk është pritur me entuziazëm vendimi i Këshillit të BE-së për t’ia vazhduar edhe për pesë muaj Mirosllav Lajçakut, mandatin e lehtësuesit të dialogut Kosovë-Serbi. Njohës të procesit e interpretuan vendimin si përpjekje të BE-së për të krijuar përshtypjen se dialogu po vazhdon. Ata presin qasje të re nga ndërmjetësuesit e rinj, por thonë se palët janë të obliguara t’i zbatojnë detyrimet e marra deri tash
Me vendim të Këshillit të Bashkimit Evropian, për të tretën herë i është vazhduar mandati emisarit për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak. Ai do ta lehtësojë procesin deri në 2025-n.
Njohës të procesit të dialogut, të shtunën, nuk shprehën pritje për ndonjë rezultat gjatë kohës shtesë të mandatit.
Gazetari Augustin Palokaj, i cili është korrespodent i KOHËS në Bruksel, e interpreton vendimin, si përpjekje të BE-së për të krijuar përshtypjen se dialogu po vazhdon.
“Lajçaku nuk ka arritur shumë as për 4 vjet, prandaj nuk mund të arrijë as për pesë muaj, sidomos duke pasur parasysh se Bashkimi Evropian po kalon përmes një faze të tranzicionit institucional ku po emërohen zyrtarë të rinj në detyra të reja. E në anën tjetër, edhe në Kosovë pritet që të ketë zgjedhje. Prandaj, mund të thuhet se do të ketë insistim të krijohet përshtypja se dialogu po vazhdon, por jo edhe të ketë ndonjë kthesë të madhe në procesin e normalizimit të raporteve mes Kosovës dhe Serbisë”, ka thënë Palokaj.
Lajçaku është emëruar lehtësues i dialogut, në prill të 2020-s me një mandat njëvjeçar. Në prillin e vitit tjetër atij iu zgjat mandati për 18 muaj. E më 2022-n vendet e BE-së u pajtuan që t’ia zgjasin mandatin deri në 2024-n.
Me kërkesën e përfaqësuesit të lartë të BE-së për politikë të jashtme dhe siguri, Josep Borrell, Këshilli ka vendosur që Lajçaku ta lehtësojë dialogun deri në janar të vitit të ardhëm, kohë brenda së cilës pritet të emërohet pasuesi i tij.
Përveç Lajçakut, BE-ja do ta zëvendësojë edhe Borrellin.
Profesori i së drejtës dhe marrëdhënieve ndërkombëtare, Enver Hasani vlerëson se obligimet që palët kanë marrë në dialog, nuk priten të ndryshojnë as nga të emëruarit e rinj.
“Nuk mund të ketë ndryshim të dinamikave të dialogut përveç nëse ndodh ndonjë faktor i tretë i papritur në planin ndërkombëtar, siç është lufta në Ukrainë, a diçka e ngjashme. Dinamika e procesit nuk është diktuar, as forma që ka ndodhur gjatë qeverisë Kurti nuk ka ndërruar si pasojë e qasjes as të Kosovës, as të Serbisë, por ka ndodhur si pasojë e faktorëve të jashtëm”, ka thënë Hasani.
Njësoj shprehet edhe Palokaj, i cili thekson se kushdo që do t’i pasojë Borellin e Lajçakun, kërkesë do ta ketë zbatimin në plotni të marrëveshjeve, ani se shton se qasja e të rinjve mund të jetë më ndryshe.
“Mandatin e japin shtetet e Bashkimit Evropian dhe ato janë të njëzëshme se Kosova dhe Serbia duhet të zbatojnë të gjitha obligimet që janë arritur deri tash në procesin e dialogut. Kjo do të thotë se mund të ndryshojë ndoshta qasja, se do të ketë njerëz të rinj që do të merren me këtë çështje, por jo edhe obligimet nga dialogu”, ka thënë Palokaj.
Autoritetet e Kosovës vazhdimisht janë ankuar në Borrellin dhe Lajçakun, të cilët i kanë akuzuar për asimetri në dialog. Sipas tyre, të dy diplomatët që janë nga shtete që nuk ia kanë njohur pavarësinë Kosovës, hapur kanë mbajtur anën e Serbisë.
Gjatë ndërmjetësimit të Borrellit dhe Lajçakut në procesin e dialogut, palët kanë arritur vetëm një marrëveshje bazike, e cila edhe më shumë se një vit pas, nuk është zbatuar.
Borrell bëri përpjekje muajin e shkuar që t’i ulë në tavolinë kryeministrin Albin Kurti dhe presidentin serb Aleksandër Vuçiq, por kryeministri vuri tri kushte për takimin: Dorëzimin e përgjegjësve për sulmin në Banjskë, nga Serbia tek autoritetet e Kosovës; Formalizimin e marrëveshjes bazë dhe aneksit për zbatim të saj, nëpërmjet nënshkrimit të tyre; Tërheqjen e letrës së Serbisë adresuar në Bruksel, me të cilën Beogradi zyrtar tërhiqet nga disa pika të Marrëveshjes Bazë.
Por, Hasani shpreh mendimin se kushtet e kryeministrit Kurtit janë bërë për konsum të brendshëm.
“Kërkesa për nënshkrim që ka lindur ndërkohë është kërkesë që bëhet për treg të brendshëm dhe s’ka asnjë efekt në rrjedhën e dialogut. Ajo çka shohim ne është se këto janë vështirësi që lidhen me implementimin. Palët me vullnet po kërkojnë se si të dilet nga ngecja aktuale, por dialogu si i tillë as nuk është delegjitimuar dhe nuk është zhvlerësuar”, ka thënë Hasani.
Pas dështimit të takimit, ka pasur akuza mes Kurtit e Vuçiqit. Të tilla janë bërë edhe këtë javë.
Një ditë më parë, kryeministri Kurti ka alarmuar se kërcënimet ndaj sigurisë së Kosovës janë në rritje. Në një opinion të botuar në “The New York Times”, ai ka theksuar se shpërthimi i një lufte në Ballkan do t’i shërbente Rusisë po aq sa Serbisë.
“Serbia mund të përpiqet të fitojë territor përmes agresionit dhe Rusia mund të fitojë kontroll më të fortë ndaj Serbisë si një satelit, përveçse të shpërqendrojë botën nga lufta që po bën në Ukrainë. Nën drejtimin e Vuçiqit, Serbia ka investuar shumë në ushtrinë e saj dhe në bashkëpunimin ushtarak me Rusinë. Sipas një raporti të vitit 2019 nga Departamenti i Mbrojtjes i SHBA-së, ‘Serbia ofron mjedisin më të hapur për ndikimin rus në Ballkanin Perëndimor’. Kosova, në krahasim, nuk mund të ofrojë një mjedis më pak të hapur. Ne kemi mbetur fort properëndimorë”, ka shkruar Kurti.
Kryeministri e ka bërë përgjegjëse Serbinë për sulmin në Banjskë. Në prestigjiozen amerikane, ai ka shkruar se kërcënimi për luftë është më real se kurrë.
Por, atij i ka reaguar homologu i tij, Millosh Vuçeviq, e edhe presidenti i këtij shteti, Aleksandër Vuçiq.
Presidenti serb tha se shteti i vet po armatoset më pak sesa do të dëshironte.
“A po armatosemi ne, epo po. Pak më tepër sesa që ai do të dëshironte e shumë më pak sesa që unë do të doja. Siç ata po armatosen, në fakt po i armatosin duke nisur prej turqve deri te gjermanët dhe amerikanët, shumë më tepër sesa unë dua, e shumë më pak sesa që ai do të dëshironte. E ato marrëzitë e tij se kush dëshiron luftë, është ai i vetmi që do luftë, pasi gjithë jetën vuan që ta veshë uniformën dhe ta aktrojë në Ballkan Zelenskyn e vogël”, ka thënë Vuçiq.
E në opinionin e publikuar në New York Times, kryeministri Kurti e ka akuzuar Vuçiqin se ndjek politikën e Sllobodan Millosheviqit, i cili ndezi luftërat në ish-Jugosllavi gjatë viteve ’90.