Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën

Serbia duhet ta pranojë realitetin dhe ta njohë Kosovën shtet. Njohja duhet të vijë edhe nga shtetet e Organizatës së Kombeve të Bashkuara e UNMIK-u duhet të mbyllet. Këto ishin mesazhet e Kosovës, Britanisë së Madhe e të SHBA-së në mbledhjen e Këshillit të Sigurimit për raportin gjashtëmujor të UNMIK-ut. Në anën tjetër, Serbia e Rusia vazhduan në një vijë duke pretenduar pa bazë për spastrim të serbëve e për dhunë nga autoritetet e Kosovës.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Konjufca i përgjigjet Gjuriqit: Asnjë shtet s’i lejon të huajt e padokumentuar

1 muaj më parë / 9 pri 2026 18:29
Glauk Konjufca

Ministri i Jashtëm, Glauk Konjufca, i është përgjigjur ministrit të Jashtëm të Serbisë, Marko Gjuriq, për pretendimin se me Ligjin për të huajt bëhet shkelje e të drejtave të serbëve në Kosovë.

Në Këshill të Sigurimit, Konjufca ka thënë se asnjë shtet nuk lejon që shtetasit e huaj të padokumentuar të mbesin aty, teksa ia ka kujtuar Serbisë trajtimin që ua bën shqiptarëve në Luginë të Preshevës me pasivizimin e adresave.

“Bëhet dallimi i qartë midis shtetasve dhe të huajve. Asnjë shtet anëtar i OKB-së e edhe ata të Këshillit të Sigurimit nuk i lejojnë shtetasit e huaj të padokumentuar që të mbeten aty”, ka thënë Konjufca duke shtuar se Ligji për të huajt i Kosovës synon që të përmirësojë shërbimet për të gjithë qytetarët.

Konjufca ka thënë se ky ligj nuk është as diskriminues për asnjërin komunitet. “Është ligj me standarde evropiane, por ne nuk mund të lejojmë paralelizma. Ligji për të huajt përfaqëson obligimin që Kosova e ka marrë përsipër sipas marrëveshjes për Stabilizim-Asociim me BE-në”, ka thënë Konjufca.

Konjufca tutje ka thënë se Kosova nuk po synon e as nuk po punon që të mbyllë institucione shëndetësore e arsimore të komunitetit serb, por po sigurohet që ato të veprojnë në kuadër të kornizës ligjore të Kosovës.

Kjo ishte përgjigja për Gjuriqin i cili pretendoi se “i vetmi universitet në gjuhën serbe trajtohet si strukturë e paligjshme paralele”.

Gjuriqi po ashtu ka pretenduar se Serbia nuk ka synuar të ndërhyjë në proceset zgjedhore, por se ka inkurajuar njerëzit që të marrin pjesë në zgjedhje.

Përfaqësuesi rus në OKB fantazon për spastrim të joshqiptarëve nga Kosova

1 muaj më parë / 9 pri 2026 17:42
Përfaqësuesi rus në OKB fantazon për spastrim të joshqiptarëve nga Kosova

Pa përmendur asnjë fakt të vetëm, përfaqësuesi rus në Këshill të Sigurimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara ka pretenduar se autoritetet “ultranacionaliste” në Kosovë po përshpejtojnë spastrim etnik të “joshqiptarëve”.

Ai ka pretenduar po ashtu pa bazë se në Kosovë po tentohet falsifikim i historisë e se po ka dhunë nga forcat e sigurisë.

“Regjimi ultranacionalist i të ashtuquajturit kryeministër Albin Kurti po përshpejton spastrimin e popullatës joshqiptare në krahinë dhe është tkurrja ekonomike, zgjerimi i forcave të sigurisë në veri, dhuna nga forcat e sigurisë dhe frikësimi ndaj civilëve, e edhe përndjekja penale ndaj civilëve serbë përfshirë edhe marrjen e pronave të tyre. Një shembull tjetër i qartë i nacionalizmit është i ashtuquajturi ligji për të huaj dhe ai për vetura. Serbët janë ballafaquar me një zgjedhje të rëndë, ose të pranojnë të ashtuquajturën shtetësi të Kosovës ose të largohen”, ka pretenduar ai.

Sipas tij, marrëveshja ushtarake Kosovë-Shqipëri-Kroaci është plan anti-serb.

Britania në Këshill të Sigurimit bën thirrje për njohje të Kosovës

1 muaj më parë / 9 pri 2026 17:32
Britania e Madhe

Përfaqësuesja e Britanisë së Madhe në Këshill të Sigurimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara ka bërë thirrje që sa më shumë anëtarë të OKB-së ta njohin Kosovën si shtet.

Tek ka kujtuar se është ndër shtetet e para që ka njohur Kosovën, përfaqësuesja e Britanisë ka thënë se njohja e Kosovës është esenciale për stabilitet afatgjatë.

Ajo ka vlerësuar procesin e zgjedhjeve dhe si hap konstruktiv zgjidhjen për zbatimin e Ligjit për të huajt. Ka përsëritur thirrjen që Serbia të ulë tensionet dhe t’i vërë para drejtësisë përgjegjësit e sulmit terrorist në Banjskë.

SHBA-ja përsërit thirrjen për mbylljen e UNMIK-ut

1 muaj më parë / 9 pri 2026 17:04
Tammy Bruce

Përfaqësuesja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Këshill të Sigurimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, Tammy Bruce, ka përsëritur qëndrimin e SHBA-së për mbylljen e misionit të UNMIK-ut.

Ajo ka thënë se udhëheqja nga institucionet e Kosovës dhe prania ndërkombëtare shpie në drejtimin e njëjtë se UNMIK-ut i ka ardhur fundi.

“UNMIK-u është krijuar më 1999 në bazë të Rezolutës 1244 për të ofruar një prani ndërkombëtare për të ndihmuar në stabilizimin e mjedisit pas luftës në Kosovë. Ky ka qenë moment tjetër, mision tjetër dhe Kosova ka qenë vend tjetër. Tani kjo nuk është realiteti në terren. Nuk ka arsyetim që Kosova të trajtohet më 2026 sikur ë ishte në vitin 1999. Sot KFOR-i ndihmon që të ruhet siguria në rajon. UNMIK-u nuk luan më rol as qeverisës, as ushtarak e as të ndërmjetësimit. Nuk po adreson as sigurinë e as paqeruajtjen dhe nuk po e avancon as normalizimin”, ka thënë ajo.

Ajo u ka kërkuar shteteve që financojnë UNMIK-un që të pyesin veten se për çka po paguajnë në këtë mision.

Ndërkaq për raportin, ajo ka thënë se mesazhi i SHBA-së është i thjeshtë.

“Rruga e vetme përpara është normalizimi. Presidenti Trump dhe amerikanët po dëgjojnë me kujdes që ju të zotoheni qartë për të punuar dhe për të prosperuar së bashku. Shpresojmë që kryeministri Kurti dhe presidenti Vuçiq, të dyja palët të ulin temperaturën dhe do të bëjnë deeskalim e do të ulen në tavolinë, do të punojmë për së afërmi me liderë që shohin nga e ardhmja jo nga e kaluara me një dialog të vërtetë e jo teatër”, ka thënë ajo.

Ndërkaq përfaqësuesi i Kinës ka thënë se themelimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe është parakusht për stabilitet në Kosovë. 

“Konsolidimi është rruga e drejt për Kosovën. Bashkësia e komunave serbe duhet të implementohet, kjo është parakusht për stabilitet në Kosovë. Misioni I OKB-së për një kohë të gjatë ka luajtur rol për stabilitetin në Kosovë. Qëndrimi i Kinës në çështjen e Kosovës është i qartë, mbështesim palët që të bashkëpunojnë në kuadër të Rezolutës 1244 për të arritur një zgjidhje të pranueshme nga të dyja palët përmes një dialogu të vërtetë. Në këtë proces sovraniteti, pavarësia dhe integriteti territorial i Serbisë duhet të respektohet plotësisht”, ka thënë ai.

E përfaqësuesja e Greqisë mosnjohëse ka thënë se mirëpret zgjatjen e mandatit të EULEX-it po që se kërkohet, teksa ka bërë thirrje që e ardhmja e Kosovës dhe e Serbisë është në Bashkimin Evropian.

Konjufca: S’mund t’i besojmë Serbisë

1 muaj më parë / 9 pri 2026 16:53
Konjufca: S’mund t’i besojmë Serbisë

Ministri i Jashtëm, Glauk Konjufca, ka thënë se Kosova nuk mund t’i besojë Serbisë pa llogaridhënie të qartë dhe garanci për ndalimin e agresionit.

Këtu ka marrë për bazë çështjen e mbrojtjes së terroristëve të Banjskës nga ana e shtetit të Serbisë.

Për raportin, Konjufca ka thënë se nuk e trajton mjaftueshëm sulmin terrorist në Banjskë në shtator të 2023-s.

“Si Kosova ashtu edhe BE-ja ka bërë thirrje për vendosjen e llogaridhënies për këto tri vjet. Beogradi i ka trajnuar, e tani i mbron kryerësit e këtij akti terrorist”, ka thënë Konjufca. “Nuk mund t’i besojmë Serbisë, nuk mund të normalizojmë marrëdhëniet pa llogaridhënie të qartë e garanci për ndalim të agresionit. Po të ishte më i balancuar, më i saktë raporti i UNMIK-ut do të raportonte mbi zhvillimet në të gjithë rajonin, sidomos qasjen autoritare dhe destruktive të Beogradit”.

Konjufca ka shtuar se Kosova ka qëllim që të ofrojë siguri dhe t’i adresojë të gjitha kërcënimet në veri, për të ofruar ambient stabil për të gjithë qytetarët.

Konjufca në Këshill të Sigurimit: Serbia të përballet me realitetin, ta njohë Kosovën

1 muaj më parë / 9 pri 2026 16:41
Konjufca

Ministri i Jashtëm Glauk Konjufca në mbledhjen e Këshillit të Sigurimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, i ka bërë thirrje Serbisë që të pranojë realitetin dhe ta njohë Kosovën si shtet.

Konjufca ka shtuar se pengesa e vetme për normalizim raportesh është Serbia.

“Kosova mbetet e gatshme të normalizojë marrëdhëniet ndërshtetërore dhe fqinjësore, megjithatë pengesë ndaj paqes dhe normalizimit të marrëdhënieve mbetet Serbia që as nuk është e interesuar t’i normalizojë marrëdhëniet me Kosovën e as të hyjë në BE. I bëjmë thirrje Serbisë të ballafaqohet me realitetin e vet dhe ta njohë Kosovën si shtet të pavarur e sovran dhe të mos mbajë peng të gjithë rajonin të një hegjemonie”, ka thënë Konjufca.

Ai ka thënë se përkundër lulëzimit të demokracisë në Kosovë, Beogradi ka bërë përpjekje për të vazhduar rolin e vet destruktiv, me ndërhyrje në zgjedhje dhe mbështetjen për Listën Serbe.

“Beogradi ka vazhduar të luajë rolin e vet destruktiv duke u përpjekur të ndërhyjë në zgjedhje, duke u përpjekur për ta mbështetur Listën Serbe në zgjedhjet në Kosovë, duke synuar ta reflektojë drejtimin e vet me një parti në pushtet. Ne kemi penguar ndërhyrje të tilla të huaja dhe kemi arritur të ruajmë dinjitetin e institucioneve tona demokratike”, ka thënë tutje ai.

Gjuriq pretendon se serbët në Kosovë përballen me margjinalizim

1 muaj më parë / 9 pri 2026 16:24
Marko Gjuriq

Ministri i Jashtëm i Serbisë, Marko Gjuriq, ka thënë se serbët në Kosovë po përballen me margjinalizim, arrestime të vazhdueshme dhe sulme.

Në mbledhjen e Këshillit të Sigurimit të OKB-së, Gjuriq ka thënë se presioni mbi serbët “është bërë i normalizuar”.

Gjuriq ka thënë se në politikat e Qeverisë Kurti “serbët vazhdimisht etiketohen si ‘të tjerët’”.

Ai ka pretenduar edhe për sulme ndaj Kishës serbe.

“S’bëhet fjalë për incidente të izoluara”, ka thënë Gjuriq, duke pretenduar po ashtu se bëhet fjalë për “sistematizim të margjinalizimit”.

“Vetëm më 2025, 137 incidente me motive etnike janë regjistruar”, ka thënë tutje ai.

Gjuriqi është ankuar edhe për armatosjen e Kosovës. Ka thënë se kjo nuk mund të shihet si gjë “neutrale”.

Raporti i UNMIK-ut rithekson nevojën që sulmuesit e Banjskës të mbahen përgjegjës

1 muaj më parë / 9 pri 2026 16:15
UNMIK

Udhëheqësi i Misionit të UNMIK-ut, Peter Due, në raportin e tij gjashtëmujor në mbledhjen e Këshillit të Sigurimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara të enjten, ka theksuar nevojën që sulmuesit e Banjskës dhe Ibër-Lepencit të mbahen përgjegjës.

Në raportin e lexuar në fillim të mbledhjes, Due ka thënë se OKB-ja është e gatshme për bashkëpunim me Beogradin dhe Prishtinën që përgjegjësit të mbahen përgjegjës.

Ai ka vlerësuar procesin e zgjedhjeve të dhjetorit në Kosovë, teksa ka thënë se momentumi është vënë në provë me ngecjen e zgjedhjes së presidentit të ri.

“Le të shpresojmë që dallimet të kapërcehen, të zgjidhet një President i ri dhe të shmangen zgjedhjet e reja legjislative. Kjo do të ndihmonte që institucionet të mbeten të përqendruara në interesin e përgjithshëm publik dhe në nevojat e qytetarëve”, ka deklaruar ai.

Ka vlerësuar edhe rikthimin në pozitat e kryetarëve në veri, të pjesëtarëve të komunitetit serb.

“Në veri të Kosovës, rikthimi i kryetarëve të komunave me shumicë serbe shënoi një hap të rëndësishëm drejt ri-angazhimit në institucionet lokale. Megjithatë, ky proces nuk ka qenë pa sfida,” theksoi ai. “Në takimet e mia të fundit me disa prej këtyre kryetarëve, dëgjova shqetësime lidhur me dorëzimet e pjesshem, boshllëqet administrative dhe barrierat gjuhësore”.

 Ai ka thënë se mirëpret kontaktet e nivelit qendror me ato lokal në veri teksa ka vlerësuar se ka progres edhe në çështjen e dialogut së fundmi.

“Është e rëndësishme që Beogradi dhe Prishtina ta shfrytëzojnë këtë moment, duke avancuar edhe zbatimin e marrëveshjeve ekzistuese, përfshirë krijimin e Asociacionit/Bashkësisë së komunave me shumicë serbe. Shpresoj që një takim i nivelit të lartë ndërmjet presidentit Vuçiq dhe kryeministrit Kurti të zhvillohet në një të ardhme të afërt,” deklaroi ai.

Due ka deklaruar se ka qenë pozitive edhe mënyra se si është gjetur zgjidhja për çështjen e Ligjit për të huajt.

Due ka bërë thirrje për ruajtje të pavarësisë së gazetarëve.

Po ashtu ka theksuar se zbatimi i ligjeve për gjuhët dhe emërimi i një Komisioneri për Gjuhët janë thelbësorë për promovimin e përfshirjes dhe garantimin e ushtrimit të plotë të të drejtave për të gjitha komunitetet.