Arbëri

Zëvendëssekretari i Shtetit ekskluzivisht në KOHA, për dialogun dhe raportet Kosovë-SHBA

Richard R. Verma gjatë intervistës në KOHA

Në një intervistë ekskluzive për KOHA-n, Zëvendëssekretari i Shtetit për Menaxhim dhe Burime, Richard R. Verma, ka dhënë hollësi për Dialogun Strategjik mes Kosovës dhe SHBA-së, si dhe ka komentuar raportet mes këtyre dy shteteve. Ai ka rikonfirmuar pozicionin amerikan rreth njohjes reciproke si produkt i normalizimit të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë. Zëvendëssekretari Verma ka folur për garancitë që partnerët ndërkombëtarë mund t’ia japin Kosovës nëse zbaton pjesën e vet të Marrëveshjes dhe ka bërë të qartë se SHBA-ja e sheh Marrëveshjen e Ohrit ligjërisht të obligueshme edhe për Serbinë, pavarësisht deklarimeve të saj refuzuese. Për këto tema dhe edhe të tjera rreth zhvillimeve në Kosovë, ndiqeni intervistën me Zëvendëssekretarin amerikan të Shtetit, në KTV prej orës 19:25. 

Zëvendëssekretari i Shtetit për Menaxhim dhe Burime, Richard R. Verma, është duke zhvilluar një turne në vendet e Ballkanit Perëndimor, nga 7 deri më 11 janar. Departamenti Amerikan i Shtetit përmes një komunikate për media pati njoftuar se në Kosovë, ai “do të diskutojë për normalizimin e marrëdhënieve të Kosovës me Serbinë përmes dialogut të lehtësuar nga BE-ja, forcimin e qeverisjes dhe sundimit të ligjit, si dhe nxitjen e rritjes ekonomike dhe sigurisë energjetike për të mirën e të gjithë kosovarëve”.

Gjatë vizitës, Verma ka falënderuar institucionet e Kosovës për mbështetjen e fuqishme për Ukrainën dhe për ndihmën e saj për afganët në nevojë. Veç Kosovës, Verma ka vizituar Shqipërinë dhe sot ka udhëtuar për në Serbi.