Ali Rexha u suspendua nga puna 3 muaj para se të pensionohet. Kjo pasi Prokuroria e Shtetit kishte vlerësuar se ai kishte rinisur hetimet për një çështje, për të cilën organi i akuzës pretendon se është mbyllur.
Po rasti i mbyllur, dokumentet e të cilit i ka në posedim Kohavisioni, ishte iniciuar nga parashtruesi anonim, i cili kishte ngritur kallëzim penal ndaj ish-anëtarëve të KPK-së dhe KGJK-së për arbitrarizëm dhe vetëgjyqësi, duke futur këtu edhe punësimet familjare dhe favoret që, sipas tij, të pandehurit i kishin bërë njëri-tjetrit.
Por prokurorja Habibe Salihu nuk kishte arritur të gjejë bazë ligjore që ndërlidhnin anëtarët e KPK-së dhe KGJK-së me veprat penale.
“Hidhet poshtë kallëzimi penal i datës 31.08.2015, ndaj Enver Pecit, Valdete Dakës, Sevdije Morinës, Bajram Ukës, Jetish Malokut dhe Lutfi Hazirit, në drejtim të veprës penale arbitrarizëm dhe vetëgjyqësi nga neni 428, paragrafi 3 i KPRK-së, të ushtrimit të ndikimit nga neni 421, paragrafi 3 i KPRK-së dhe keqpërdorim i pozitës zyrtare nga neni 422, paragrafi 1 i KPRK-së. Nga Kallëzimi Penal nuk rezulton se ekziston dyshimi i arsyeshëm se në veprimet e këtyre të pandehurve të jenë manifestuar elementet e këtyre veprave penale,” thuhet në vendimin e PPN.nr 697/2015 të datës 24 janar 2017.
Prokurorja Salihu kishte injoruar në tërësi mundësitë dhe obligimet që Kodi i Procedurës kërkon për të zhvilluar hetime lidhur me këtë rast, për të grumbulluar informata apo për të marrë në pyetje dëshmitarë.
Edhe
Prokurori Ali Rexha thotë se u denigrua për shkak të hetimeve ndaj kolegëve në KPK
Më 16 tetor të 2015-ës, prokurorja Salihu kishte kërkuar edhe mendimin e Komisionit për vlerësimin e lëndëve penale, ku si subjekt janë prokurorët dhe gjyqtarët.
“Duke u bazuar në vendimin A.n.45/15 të datës 15 dhjetor 2014, në shtojcë ua dërgoj Kallëzimin Penal, ushtruar kundër Valdete Dakës, Enver Pecit, Sevdije Morinës, Jetish Malokut, Bajram Ukës, në mënyrë që Komisioni të vlerësojë dyshimet konkrete dhe pas shqyrtimit të provave, ky komision vendos nëse ka elemente të veprës penale dhe pastaj lënda dërgohet në prokurorinë përkatëse”.
Më 9 nëntor, Prokuroria Themelore merr përgjigjen nga komisioni se mund ta çojë tutje lëndën për trajtim.
“Pas analizimit të shkresave të lëndës PP/I,nr,697/15, të njëjtën lëndë ua përcjellim për trajtim. Në rast të paraqitjes së ndonjë dileme profesionale të kësaj çështjeje, mund t’i referohemi Prokurorit të Shtetit nga Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit, i cili është i caktuar për prokurorin tuaj, sipas vendimit A.nr.340/15, të datës 2 shtator 2015”.
Në fund të këtij vendimi janë nënshkrimet e Kryeprokurorit të Shtetit, Aleksandër Lumezi, me anëtarët Lulëzim Sylejmani e Sevdije Morina. Kjo e fundit, edhe pse e pandehur në këtë kallëzim penal, vendos ta hedhë poshtë lëndën, duke amnistuar vetën nga çfarëdo hetimi të mundshëm.
Edhe
Prokuroria s’e heton konfliktin e interesit të anëtarëve të KPK-së, që ia zgjaten mandatin vetes
Sipas organizatave që merren me monitorimin e sistemit të drejtësisë, Morina ka shkaktuar një tjetër konflikt interesi.
Tutje në dosje ndodhet edhe një shënim zyrtar, ku më 13 janar 2017, në Kolegjiumin nga Njësiti për Krime Ekonomike dhe Korrupsion, që ndërlidhet me lëndën, ku subjekt i veprës penale janë prokurorët dhe gjyqtarët, thuhet se: “Në bashkëpunim me kryeprokurorin Imer Beka dhe pas shqyrtimit të secilës lëndë veç e veç, u vendos edhe për lëndën 697/15, që të hedhet poshtë kallëzimi penal ngase nuk ekziston dyshimi i arsyeshëm se me veprimet e të pandehurve janë manifestuar elementet e veprës penale”.