Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Zeqiri: Mbi 50 policë kanë dhënë dorëheqje këtë vit për shkak të kushteve të punës

Sigurimi shëndetësor vazhdon të jetë kërkesa kryesore e zyrtarëve policorë. Kryetari i Sindikatës së Policisë së Kosovës, Imer Zeqiri, ka thënë se sigurimi është nevojë e domosdoshme.

“Sigurimi shëndetësor dhe jetësor për Policinë e Kosovës është prioritet, nevojë që është e pakontestueshme. Kur kemi kontakte me ndërkombëtarët, nuk besojnë se nuk kemi sigurim shëndetësor. Kjo kërkesë ka qenë dhe do jemi këmbëngulës deri në jetësimin e sigurimit shëndetësor”, ka thënë ai të mërkurën në emisionin "60 Minuta" në KTV.

Zeqiri ka theksuar se pakënaqësi u ka shkaktuar edhe Ligji i Pagave. Që pas implementimit të tij, ai ka thënë se disa shtesa nuk po ekzekutohen e as benefitet që zyrtari merrte pas daljes ne pension.

Sipas tij, pakënaqësitë e tilla kanë çuar në dorëheqje vullnetare të policëve, që ai i numëroi në mbi 50 zyrtarë këtë vit që janë larguar nga shërbimi i Policisë për shkak të kushteve të punës.

“Na doli shtesë kërkesë dhe pakënaqësi e madhe implementimi i Ligjit të pagave në shkurt. Që nga atëherë shtesat për rrezikshmëri në punë nuk është duke u ekzekutuar. Nuk është vetëm kjo vërejtje, sepse janë anuluar edhe disa benefite tjera, shembull zyrtari policor deri tash kur është pensionuar benefitin e vetëm që e ka marrë është tri paga shtesë për pension, edhe ato i ka anuluar, janë anuluar me Ligjin e Pagave. Koeficientet për stafin mbështetës apo civil që i kemi rreth 900 punonjës nuk është i rregulluar në bazë të vendeve të punës dhe punës që e kryen. Këto krijojnë pakënaqësi, kjo pakënaqësi përpos kërkesave tona që i kemi përcjellë, pakënaqësia po reflektohet edhe në dorëheqjet vullnetare në PK. Deri tani kemi mbi 50 dorëheqje vullnetare këtë vit, që kryesisht janë për shkak të kushteve të punës dhe pagës së ulët”.

Edhe Zeqiri: 10 policë kanë dhënë dorëheqje gjatë muajit janar Arbëri Zeqiri: 10 policë kanë dhënë dorëheqje gjatë muajit janar

Zeqiri ka shtuar se që nga themelimi, për 24 vjet, Policia e Kosovës ka merituar më shumë.

“Deri tash kemi 23 zyrtarë policorë që e kanë humbur jetën në kryerje të detyrës zyrtare. Kemi mbi 4200 raste të lëndimeve gjatë kryerës së detyrës dhe një pjesë e këtyre zyrtarëve kanë mbetur me invaliditet. Policia meriton më shumë, është dujke sakrifikuar, po kryen detyrat me vullnet të lartë”, ka përfunduar Zeqiri.