Kryetari i Sindikatës së Policisë së Kosovës, Imer Zeqiri, ka thënë për Ekonomia Online, se nga janari kanë dhënë dorëheqje 86 pjesëtarë të Policisë. Ai ka thënë se që nga formimi i këtij institucioni deri në fund të viti 2022 mbi 2.200 zyrtarë e lanë këtë institucion.
Sipas tij, numri i madh i largimeve ka ardhur si pasojë e kushteve jo të mira, e pagave jo të dinjitetshme. Madje tha se edhe pas pensionimit ata nuk kanë trajtimin e duhur, duke u paguar vetëm 100 euro.
“Dorëheqjet në Policinë e Kosovës kanë ndodhur edhe më herët, që nga formimi i Policisë Kosovës e deri më 31 dhjetor 2022 kemi pasur mbi 2 mijë e 200 dorëheqje, të evidentuara që i bëjnë gati 100 për çdo vit. Mirëpo, periudha të ndryshme këto kanë qenë në ndonjë vite më shumë apo në ndonjë vit më pak. Vetëm për këtë vit, nga janari deri më tani kemi 86 dorëheqje, dhe shumica e këtyre dorëheqjeve janë për shkak të kushteve dhe të mirëqenës, dhe të një page jo të dinjitetshme, apo jo të mjaftueshme për të siguruar ekzistencën për një familje. S’ka sigurim shëndetësor e jetësor, s’ka ligje të pensionimit, sepse zyrtarët policorë kur e përfundojnë karrierën pas moshës 56-vjeçare janë më 100 euro pension”, tha Zeqiri.
Duke komentuar aksionet e Policisë, ai tha se kanë kapacitete dhe vullnet për të mbrojtur rendin dhe qetësinë, por që tha se duhet t’i kenë duart e lira. Përderisa tha se duhet që të kenë buxhet më të lartë, raporton EO.
“Policia e Kosovës ka kapacitet, por mbi kapacitetin e ka vullnetin, dhe dëshirën për ta mbrojtur rendin, qetësinë publike dhe integritetin e këtij vendi. Prandaj besoj shumë së ka edhe kapacitete edhe mundësi që ta mbrojë këtë vend, vetëm iu duhen duart e lira, gjë që i ka duart e lira për të vepruar në çfarëdo situate në mënyrë ligjore dhe kushtetuese. Përndryshe nëse ndalim për kapacitetet luftarake të vendeve të tjera definitivisht ajo është një çështje tjetër që këtë mund ta vlerësoje vetëm me ekspertët. Mendoj që është dashur të ndahet një buxhet më i lartë, sa i përket punës Policisë apo institucioneve të sigurisë sepse këto nevojat janë jashtëzakonisht të mëdha, qoftë për mirëqenie në qoftë për mjete të tjera logjistike apo çfarë do qofshin, Policinë e Kosovës apo institucionet të sigurisë mund të ndodhë edhe situata më kërkesa shtesë, të paplanifikuar prandaj mendojë që është dashur të ndahet një buxhet më i lartë”.
E partitë opozitare PDK e AAK janë shprehur të zhgënjyera me nivelin e shtesave të rrezikshmërisë për pjesëtarët e Policisë së Kosovës (PK), pa marr parasysh kërkesat e këtyre të fundit që ky kategorizimi të rishikohet edhe një herë nga Qeveria, raporton Ekonomia Online.
PDK e AAK kanë thënë se pjesëtarët e PK-së janë të dëshpëruar me mosplotësimin e kërkesave të tyre dhe se Qeveria duhet që të marr parasysh këto kërkesa e sidomos për Njësit Elitare pasi sipas tyre, në ato njësi është investuar me dekada dhe tani nuk duhet që të lihen pas dore. Deputetja e PDK-së, Ganimete Musliu, tha se e kanë pritur me keqardhje që takimi i fundit i kryeministrit Albin Kurti me përfaqësuesve të Njësisë Speciale Intervistuese ka përfunduar pa marrëveshje.
“E kam pritur me keqardhje përfundimin e takimit sepse sikur se çdo takim tjetër pa rezultat i kësaj qeverie, pa rezultoi edhe takimi që pat me njësit elitare të policisë së Kosovës. Qeveria e Kosovës nuk lëviz asnjë hap para drejt realizimit të kërkesave të Policisë së Kosovës, kjo është shumë e dhimbshme dhe dëshpëruese, sepse po vihet në rrezik siguria e vendit tonë”.
Ajo tha se nga ana e Qeverisë është duke u thënë se ka rritje të buxhetit në sektorin e sigurisë, por sipas saj, Policia e vendit është po punon pa kushtet esenciale e për këtë arsye edhe po lënë punën.
“Tërë ministrat e Qeverisë, por edhe vetë kryeministri Kurti thotë se kemi rritje të buxhetit për këtë dikaster, për atë, por nëse themi se kemi rritje për buxhetin e Ministrisë së rendit, e në anën tjetër Policinë e Kosovës e kemi pa këpuca, e që çdo ditë nga demotivimi që po ju bënë kjo Qeveri po e zhveshin uniformën, kjo tregon mjaftueshëm për mos punën që është duke e bërë kjo Qeveri”, tha ajo.
Deputetja e AAK-së, Time Kadrijaj, ka thënë se kryeministri po shkatërron çdo gjë që është ndërtuar ndër vite, kjo pasi nuk po i plotëson kërkesat PK-së.
“Albin Kurti do të shkatërroj gjithçka të mirë që është në këtë shtet, është sjell keq me veteranet e luftës po sjellët keq me elitë tonë, njësit speciale të cilat janë heronj të Kosovës. Sepse nëse nuk kishin qenë këto njësi speciale ndoshta situata në veri do të kish de-eskaluar për shkak të gjitha atij armatimi që ka hyrë në Kosovë, për shkak të grupit të madh të terroristeve që kanë sulmuar Kosovën”, tha ajo.