Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Policët kundërshtojnë koeficientët e Ligjit për paga

Sindikata e Policisë së Kosovës e konsideron të papranueshëm Projektligjin për pagat dhe koeficientin e vendosur. Kryetari i Sindikatës, Imer Zeqiri, deklaroi se koeficienti i pagës së policit është diskriminues, bazuar në draftin e koeficienteve që po punohet nga Ministria e Brendshme.

“Po më duket se Komisioni gjatë përpilimit të këtij ligji, nuk e di a i ka pasur parasysh këto gjëra. Është me rrezikshmëri dhe këta janë ata policë që ia përgatisin prokurorit lëndën për gjykatë. Një prokuror, në krahasim me një polic, i merr 5 paga. Aktualisht paga e policit është 392 euro. Është i papranueshëm projektligji me këta koeficientë”, deklaroi Zeqiri para Komisionit për Siguri për ligjin që parashihet të dalë para deputetëve për shqyrtim në muajin mars.

Zeqiri theksoi se kanë pakënaqësi edhe sa i përket mungesës së sigurimit shëndetësor.

“Jo vetëm në rajon, por edhe në Evropë e botë, nuk ka polici pa sigurim shëndetësor. Policia mbetet më së gjati pa sigurim shëndetësor”, tha ai.

Sipas kreut të Sindikatës, rreth 5 milionë euro në vit do të kushtonte sigurime shëndetësor për Policinë e Kosovës.

“Policia i ka 9.119 punonjës, kjo shifër përfshin edhe stafin civil. Kemi 21 zyrtarë të vrarë gjatë kryerjes së detyrave zyrtare. 300 kanë vdekur në detyrë, 426 që janë lënduar gjatë kryerjes së detyrës. 528 policë me sëmundje të veçanta. Prej fillimit të pandemisë, 25 zyrtarë kanë vdekur nga pandemia. Mbi 2.500 janë infektuar me COVID-19”, tha tutje ai, derisa anëtarët e Komisionit i vijuan me pyetje.

Ditë më parë, ligji që ka shkuar për komente te palët e prekura, është kundërshtuar edhe nga Sindikata e Arsimit.

Image
Kryetari i Sindikatës, Imer Zeqiri/Foto: Driton Paçarada

Deputeti i PDK-së: Policia e ka humbur pavarësinë e vet

Anëtari i Komisionit për Siguri nga PDK-ja, Rashit Çalaj, deklaroi se Policia e Kosovës e ka humbur pavarësinë e vet, dhe sipas tij, nuk po e pyet askush për asgjë.

Ai deklaroi para Kryetarit të Sindikatës, Imer Zeqiri, se humbja e pavarësisë brenda Policisë është bërë nga politika dhe qeverisja aktuale.

“Si po e shihni humbjen e pavarësisë së Policisë. Kur ju e dini që polici më pak pyetet për aktivitetet, për organizime. Ministri shkon në për zyre të hetuesve, që s’ka qenë praktikë deri më tani në asnjë qeveri. Policia duhet të jetë sa më e pavarur, tash po e shoh që është kulmi kur një ministër e ke në të gjitha zyrat e Policisë”, deklaroi Çalaj, derisa Zeqiri tha se nëse Policia e humb pavarësinë dhe bie nën ndikimin e politikës, është e keqe dhe duhet vepruar.

Artikuj të ngjashëm