Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Zbulohet një tjetër lokacion në Zubin-Potok ku dyshohet për mbetje mortore

VARRI - MASIV - Zubin - Potok

Foto: Lokacioni ku gjendet varri masiv në Kalludër të Vogël

Foto: Associated Press

Policia e Kosovës dhe Prokuroria Speciale ka bërë të ditur se të dielën është identifikuar një lokacion i dyshuar në fshatin Jabukë në Zubin-Potok, ku dyshohet se mund të ketë mbetje mortore. 
Prokuroria ka thënë se do t’i paraqesë Gjykatës Themelore në Prishtinë kërkesë për lejimin e zhvarrimit dhe ekzaminimeve të nevojshme. 

“Policia e Kosovës në bashkëpunim me Prokurorinë Speciale të Republikës së Kosovës, në kuadër të veprimeve hetimore që janë duke u zhvilluar lidhur me rastin në Zubin Potok, njofton se sot, më 2 gusht, gjatë veprimeve në terren është identifikuar një lokacion i dyshuar në fshatin Jabukë, ku dyshohet se mund të ketë mbetje mortore. Në përputhje me dispozitat ligjore në fuqi, Prokuroria Speciale do t'i paraqesë Gjykatës Themelore në Prishtinë kërkesë për lejimin e zhvarrimit dhe ekzaminimeve të nevojshme. Pas marrjes së autorizimeve përkatëse nga gjykata, Prokuroria Speciale, në koordinim me Policinë e Kosovës, Drejtoria për Hetimin e Krimeve të luftës dhe institucionet e tjera kompetente do të ndërmarrë veprimet e nevojshme”, thuhet në komunikatën e përbashkët të Policisë dhe Prokurorisë së Kosovës. 

Të martën në Kalludër të Vogël u zbulua një varr masiv. Dyshohet se ndodhen mbetjet mortore të 23 civilëve shqiptarë nga Mitrovica, të njohur si “grupi i intelektualëve”. Ata ishin rrëmbyer më 19 prill 1999. Tash e 27 vjet fati i tyre nuk është zbardhur plotësisht.

Tre të dyshuar janë arrestuar në Zubin-Potok gjatë javës për krime lufte. 

E të shtunën kryeministri në detyrë, Albin Kurti, gjatë vizitës në këtë lokacion tha se gërmimet mund të zgjasin me muaj, për shkak të shpërndarjes së mbetjeve mortore dhe terrenit të vështirë.

Sveçla konfirmon gjetjen e një varri tjetër masiv në Zubin-Potok

1 muaj më parë / 2 gus 2026 22:02
Ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla

Photo: Driton Paçarada

Ministri në detyrë i Brendshëm i Kosovës, Xhelal Sveçla, ka thënë se pas zbulimit të mbetjeve mortore në një varr masiv në Kalludër të Zubin-Potokut, të dielën, në fshatin Jabukë të kësaj komune është gjetur një varr tjetër masiv me mbetje mortore të viktimave të luftës së fundit në Kosovë. 

"Pas gjetjes së mbetjeve mortore në një varr masiv në Kalludër të Zubin-Potokut, ku ende po vazhdojnë kërkimet dhe gjurmimet, sot, vetëm 10 kilometra më tutje, në fshatin Jabukë të po kësaj komune, u gjet edhe një varr tjetër masiv me mbetje mortore të viktimave të luftës së fundit në Kosovë. Falënderoj Policinë e Kosovës, njësitë përkatëse për hetimin e krimeve të luftës, Agjencinë e Kosovës për Inteligjencë, Institutin e Mjekësisë Ligjore dhe Prokurorinë e Kosovës për punën e ndërmarrë në drejtim të hulumtimit, hetimit dhe identifikimit të këtyre lokacioneve", ka shkruar Sveçla. 

Sveçla në një postim në Facebook ka thënë se Serbia po vazhdon të mbetet e njëjta si ajo në kohën e Sllobodan Millosheviqit, si në formë ashtu edhe përmbajtje. Ai ka thënë se në njërën anë Serbia nuk po jep informacione për personat e zhdukur me dhunë gjatë luftës së fundit në Kosovë, e në anën tjetër po i kërcënon dhe burgos qytetarët serbë që bashkëpunojnë në gjetjen e varreve masive. 

“Serbia vazhdon të mbetet e njëjtë si në kohën e Millosheviqit, jo vetëm përmes figurave si Aleksandar Vuçiqi dhe Ivica Daçiqi. Vuçiq ishte numri dy i Sheshelit, Daçiq ishte numri dy i Millosheviqit e Vulin numri dy i Mira Markoviqit. Të tre këta janë ende në pushtet në Serbi dhe ky shtet nuk ka ndërruar asgjë. Serbia vazhdon të mbetet e njëjta në formë dhe në përmbajtje. Ky shtet, në njërën anë, refuzon të japë informacione për personat e zhdukur, të marrë me dhunë, ndërsa, në anën tjetër, kërcënon dhe burgos qytetarët e saj që bashkëpunojnë për gjetjen e këtyre varreve. Po ashtu, ajo glorifikon përmes memorialeve brigada si ajo 37, pjesëtarët e së cilës janë përgjegjëse për shumë masakra në Kosovë”, ka shkruar Sveçla. 

Ai u ka bërë thirrje partnerëve ndërkombëtarë të dënojnë dhe ndëshkojnë sjelljet e Serbisë. 

“Ftoj partnerët ndërkombëtarë të dënojnë dhe ndëshkojnë ashpër këtë sjellje të Serbisë. Pa një gjë të tillë jo që do të jetë i pamundur çfarëdo hapi drejt të drejtësisë, por ky shtet do të cenojë çdo ditë paqen në Ballkanin Perëndimor.   Megjithatë, pavarësisht kësaj, ne mbetemi të përkushtuar dhe të palëkundur për të gjurmuar çdo pëllëmbë, në mënyrë që të zbardhim fatin e secilit person të vrarë dhe zhdukur nga shteti serb gjatë luftës së fundit në Kosovë dhe të sjellim para drejtësisë secilin kriminel përgjegjës për krimet e asaj kohe”, ka shkruar Sveçla. 

Të martën në Kalludër të Vogël u zbulua një varr masiv. Dyshohet se ndodhen mbetjet mortore të 23 civilëve shqiptarë nga Mitrovica, të njohur si “grupi i intelektualëve”. Ata ishin rrëmbyer më 19 prill 1999. Tash e 27 vjet fati i tyre nuk është zbardhur plotësisht.

Tre të dyshuar janë arrestuar në Zubin-Potok gjatë javës për krime lufte. 

Haxhiu: Çdo varrezë e zbuluar është një hap drejt së vërtetës

1 muaj më parë / 2 gus 2026 21:41
Haxhiu

Ushtruesja e detyrës së presidentes së Kosovës, Albulena Haxhiu, thënë se dyshimet për një varrezë të dytë masive në Zubin-Potok janë një rikujtim i rëndë i krimeve të kryera nga forcat serbe gjatë luftës dhe një dëshmi se drejtësia nuk është vënë plotësisht në vend. 

Policia e Kosovës dhe Prokuroria Speciale kanë bërë të ditur se në fshatin Jabukë të Zubin-Potokut dyshohet për mbetje mortore. 

Prokuroria ka thënë se do t’i paraqesë Gjykatës Themelore në Prishtinë kërkesë për lejimin e zhvarrimit dhe ekzaminimeve të nevojshme.

Të martën u zbuluan mbetje mortore në fshatin Kalludër të Vogël në Zubin-Potok, të cilat dyshohen se i përkasin 23 civilë shqiptarë nga Mitrovica të njohur si “grupi i intelektualëve”.

Haxhiu në postim në “Facebook” ka thënë se shtrirja e sovranitetit dhe rendit kushtetues në çdo pjesë të Kosovës nuk ishte vetëm obligim institucional, por parakusht për të mundësuar zbardhjen e fatit të të zhdukurve me dhunë, zbulimin e varrezave masive dhe kthimin e mbetjeve mortore të viktimave te familjet e tyre. 

“Çdo varrezë e zbuluar është një hap drejt së vërtetës, por edhe një dëshmi se plagët e luftës mbeten të hapura derisa të gjendet personi i fundit i zhdukur dhe përgjegjësit për këto krime të dalin para drejtësisë. Në këto momente, shprehim solidaritetin më të thellë me familjet e viktimave, të cilat për më shumë se dy dekada kanë pritur të dinë fatin e më të dashurve të tyre. Republika e Kosovës mbetet e përkushtuar që e vërteta të zbardhet plotësisht dhe kujtesa për viktimat të nderohet me dinjitet”, ka shkruar Haxhiu.