Kreu i Lëvizjes Vetëvendosje, Visar Ymeri, në takimin që ka zhvilluar me Përfaqësuesen e Lartë të BE-së për politikë të jashtme dhe siguri, Federica Mogherini, së bashku me krerët e partive tjera, ka potencuar se nuk e ndryshon qëndrimin për sa i përket çështjes së demarkacionit me Malin e Zi.
Në një postim në Facebook, Ymeri ka thënë t’i ketë shprehur Mogherinit qëndrimin në këtë kontekst, duke theksuar: “Është edhe e padrejtë e edhe gabim që në raport me shqiptarët e veçanërisht me Kosovën të aplikohen kritere e kërkesa të cilat e kushtëzojnë pabarazinë mes popujve dhe nuk bazohen në parimin e reciprocitetit të marrëdhënieve e respektimin e ndërsjellë të sovranitetit mes vendeve”.
“Nuk ka as dobi e as drejtësi nga një dialog me Serbinë që nuk bazohet as në parime të marrëdhënieve mes dy shteteve e as në parimin universal për lirinë e popujve”, ka thënë Ymeri në këtë takim.
“Kosova duhet t'i ketë kufijtë e vet të shenjuar. Por kjo duhet bërë sipas së drejtës publike ndërkombëtare dhe sipas parimit të paprekshmërisë së integritetit territorial të Republikës. Marrëveshja me Malin e Zi i cenon të dyja. Nuk bën të humbim territor. Duhet të insistojmë për trajtim të barabartë e dinjitoz”, është shprehur më tej ai në adresimin para Mogherinit.
“Imponimi sjellë krizë, shqetësim dhe indinjatë. Populli i Kosovës kërkon paqe, zhvillim e punë. Jo nënshtrim. Jo cenim territori. Jo mohim sovraniteti. Jo përdhosje dinjiteti. Këto ia sqarova edhe znj. Mogherini”, ka përfunduar Ymeri.
-
Ymeri: Të rinegociohet demarkacioni me Malin e Zi
-
Ymeri: Duam rishikim të demarkacionit dhe marrëdhënie të mira me Malin e Zi
-
Gjini: Mogherini kërkoi votimin e demarkacionit, por jo këtë version
-
Opozita nuk ndryshon qëndrimet as pas takimit me Mogherinin
-
Ymeri: Imponimi me dhunë i demarkacionit thellon krizën në Kosovë