Gazeta “Tages-Anzeiger” sot për herë të parë botoi një tekst në gjuhën shqipe: intervistën me kirurgun e njohur të zemrës në spitalin Triemli në Zuerich, Omer Xhemali, i cili bën thirrje për vaksinim urgjent kundër koronës. Sipas Xhemalit, është papërgjegjësi që njerëzit të mos marrin vaksinën anti-COVID, duke iu referuar komunitetit shqiptar në Zvicër dhe jo vetëm.
Sipas statistikave, kuota e vaksinimit në komunitetin shqiptar në Zvicër është e ulët, ndërsa njerëzit me prejardhje shqiptare po infektohen mbiproporcionalisht me COVID-19, sepse nuk janë vaksinuar dhe po sëmuren aq rëndë, saqë duhet të trajtohen në spital dhe shpesh madje në reparte intensive.
“Si kirurg zemre unë jam i varur nga reparti i trajtimit intensiv. Është tepër e rëndësishme që aty të kemi kapacitete për t’i trajtuar pacientët tanë. Rritja e tanishme e shifrave është shqetësuese, po ashtu edhe vala e ardhshme, andaj ne mund të gjendemi në një situatë kur pacientëve tanë s’mund t’u ofrojmë cilësinë e trajtimit, e cila u takon. Natyrisht po ashtu më prek fati i çdo pacienti, pa marrë parasysh prejardhjen e tij. Është e vërtetë se te ne, në spitalin Triemli, janë të shtrirë relativisht shumë persona me origjinë shqiptare, të cilët sapo janë kthyer nga pushimet, fjala është për persona të moshave të ndryshme. Konsideroj se është e papërgjegjshme të mos vaksinohesh. Si mjek unë nuk shoh arsye për të mos u vaksinuar. Por skepticizmi ndaj vaksinimit nuk ekziston vetëm te komuniteti shqiptar, për fat të keq ky skepticizëm është gjerësisht i përhapur. Edhe në Zvicër kuota e vaksinimit e personave që kanë marrë dy doza është ende shumë e ulët – në shumë kantone nën 50 për qind”, ka thënë Xhemali për të përditshmen zvicerane Tages-Anzeiger.
Xhemali tutje shton se kuota e vaksinimit në shtetet e Ballkanit mbetet e ulët, pasi sipas tij, përveç skepticizmit, shtetet e Evropës Perëndimore nuk i kanë furnizuar me kohë me doza të vaksinës vendet si Kosova, Bosnja, Maqedonia e Veriut e Shqipëria.
“Duhet dalluar dy gjëra: nga njëra anë është skepticizmi ndaj vaksinimit. Ai sigurisht ekziston, por besoj se jo në përmasa shumë më të mëdha se te zviceranët. Nga ana tjetër kuota e vaksinimit është e ulët sepse shtetet e Evropës Perëndimore nuk i kanë furnizuar vendet e Ballkanit me kohë me doza të vaksinës. Vendet si Serbia qëndrojnë më mirë, sepse janë furnizuar nga Rusia dhe Kina. Maqedonia e Veriut dhe Kosova janë të orientuara nga Perëndimi, ato kanë marrë tepër vonë vaksina të Biontechut, ndërsa vaksinën Monderna nuk e posedojnë fare. Për këtë shkak vaksinimi ka stagnuar dhe për këtë shkak numri i infektimeve është rritur si pasojë e vizitave nga diaspora gjatë verës”, deklaroi ai.
Mjeku kirurg rrëfen se sa ishte në pushim në Kosovë, në vendet e thella masat anti-COVID nuk respektoheshin, e më së paku në festa e dasme.
“Po, kam qenë për pushime verore. Shpesh kam ecur në bjeshkë, gjë që e bëj me qejf edhe në Zvicër. Maqedonia e Veriut dhe Kosova janë vende me shumë kodra. Në kryeqytete masat nuk kanë qenë aq të ashpra, në dyqane ka ekzistuar obligimi për të bartur maskën. Por sa më në thellësi të vendit që shkoje, aq më pak respektoheshin masat mbrojtëse. Më së paku në festa dhe dasma. Aty shumë njerëz janë takuar të pambrojtur me njëri-tjetrin. Ndërkohë autoritetet në Kosovë i kanë ashpërsuar dukshëm masat – vendi gjendet pak para mbylljes”, vijoi Xhemali.
Tutje, Xhemali tregoi se e gjithë familja e tij, përfshirë fëmijët, janë vaksinuar. Ai tregoi se po bën fushata të ndryshme e angazhim personal, për të bindur njerëzit që të vaksinohen.
“Kjo fushatë nuk ka arritur t’i përfshijë të gjithë, por disa po – para së gjithash gjeneratën e re. Gjenerata e dytë e të huajve ka mundësinë të bind gjeneratën më të vjetër duke e informuar si duhet”, u shpreh ai.
Konsullata kosovare planifikon një fushatë me Qeverinë e Kantonit të Zuerichut për të shtyrë përpara vaksinimin e komunitetit shqiptar atje.