Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Xhambazi: Momenti për liberalizim të vizave iku, tani jemi në fazë të re politike

Visar Xhambazi nga D4D ka thënë se një pjesë të fajit që Kosova nuk ka përfituar liberalizimin e vizave deri tash e ka vetë ajo.

Në Express Intervistë ai ka thënë se Kosova u vonua kur e pati mundësinë, ndërsa tash shtetet skeptike ndaj Kosovës kanë në plan të parë zhvillimet në vendet e tyre.

“Sa i përket vizave një pjesë të fajit e kemi ne si shtet sepse nuk kemi arritur t’i plotësojmë kriteret në kohë me shtetet si Gjeorgjia dhe Ukraina më 2016 si pjesë e pakos. Më 2016 Kosova i pati plotësuar të gjitha kriteret e BE-së përveç luftës së korrupsionit dhe ratifikimit të marrëveshjes së demarkimit me Malin e Zi. Kosova u vonua dhe pati probleme në Kuvend, momenti iku dhe edhe pse u plotësuan të gjitha kriteret, jemi në momentum tjetër politik, jemi duke u ballafaquar me një BE më skeptike ndaj Ballkanit Perëndimor, me një Francë antiemigracion dhe prandaj të gjitha këto shtete skeptike ndaj Kosovës në plan të parë kanë vendet e tyre në vend të Kosovës”, ka thënë ai.

Xhambazi ka folur edhe për Mini-Schengenin dhe nismat rajonale.

Ideja e Mini-Schengenit ballkani u konsiderua e dështuar nga D4D sot, organizatë kjo e cila të mërkurën publikoi punimin “Mini-Schengeni dhe Bashkëpunimi Rajonal: Nevojiten gjashtë shtete për bashkëpunim në Ballkanin Perëndimor”. Nga D4D kjo ide u quajt “perspektivë e vogël për bashkëpunim rajonal deri në integrimin në BE”, duke shtuar se dështoi edhe në informim të qytetarëve rreth nismës.

Xhambazi ka thënë se Mini-Schengeni ka qenë një tendencë për protagonizëm politik, por që nuk e mori mbështetjen e Bashkimit Evropian.

Ai ka thënë se marrëveshja mes shteteve të Ballkanit Perëndimor për të lëvizur me letërnjoftim, nuk dallon shumë nga praktika që është ndjekur deri tash, përveç Bosnjës.

Edhe Ekspertët e konsiderojnë të dështuar Mini-Schengenin si iniciativë paralele e integrimit në BE Arbëri Ekspertët e konsiderojnë të dështuar Mini-Schengenin si iniciativë paralele e integrimit në BE

“Derisa Bosnja ka nënshkruar marrëveshjen mund të kemi lehtësim të udhëtimit sepse nuk do kemi nevojë të aplikojmë për vizë por do lëvizim vetëm me letërnjoftim”.

Xhambazi shtoi se me implementimin e kësaj marrëveshje nuk do të ketë problem, as sa i përket marrëdhënieve me Serbinë. Ai ka thënë se marrëveshja nuk mund të përdoret për interesa të shteteve.

“Të gjitha marrëveshjet rajonale bazohen në mirëbesim dhe kur një shtet nuk i respekton dispozitat atëherë aplikohet parimi i reciprocitetit politik në këtë aspekt. Derisa kjo marrëveshje mbështetet nga BE-ja nuk besoj se do kemi problem me implementimin e marrëveshjes. Nëse ka probleme, duhet të rivizitohet marrëveshja sepse shtetet nuk mund ta përdorin një marrëveshje në interesa vetanake”, ka thënë ai.