Aktivisti i shoqërisë civile në Maqedoninë e Veriut, Arianit Xhaferi, ka thënë se qytetarët e Tetovës janë duke u ndier të pasigurt pas tragjedisë që kaploi vendin të mërkurën kur në spitalin modular për COVID-19 vdiqën 14 njerëz si pasojë e zjarrit që përfshiu spitalin. Ai ka thënë se qytetarët dyshojnë se në Maqedoni “si gjithmonë” nuk do të ketë zbardhje të së vërtetës.
“Tetova sot ka qenë shumë e zymtë. E tronditur. Plot shok. Tema e ditës padyshim në çdo qark ka qenë kjo. Mbizotëron një dozë pasigurie, dëshpërimi dhe mllefi se ajo është vendi ku njerëzit shkojnë për të shpëtuar jetën e ajo u bë strofull e vdekjes. Është ndjenjë e papërshkrueshme. S’kemi përjetuar kurrë diçka të tillë dhe uroj të mos ketë diçka të tillë kurrë. Dyshimet lidhen kryesisht me instalacionet elektrike dhe prania e bombolave të oksigjenit që dinë të shpërthejnë nën presion. I gjithë opinioni po pret të mësojë se çfarë ndodhi saktësisht që ua mori jetën bashkëqytetarëve tanë. Të gjithë presin shumë përgjigje”, ka thënë ai në Interaktiv të KTV-së.
Megjithatë, duke thënë se në Maqedoni populli është mësuar që askush të mos marrë përgjegjësi për tragjeditë, Xhaferi ka numëruar raste të shumta ku populli ka mbetur pa përgjigje.
Teksa ka përmendur një aksident me dhjetëra viktima në një autobus dy vjet më parë, një vajzë kosovare të vdekur në Maqedoni e edhe raste të tjera, Xhaferi ka thënë se “në Tetovë, për fat të keq mbizotëron kjo ndjenjë se s’do të merret vesh se çka ka ndodhur dhe në çfarë mënyre humbën jetën 14 njerëzit që në momentet e fundit të jetës së tyre u dëgjuan duke piskatur për jetë”.
Ai ka thënë se përgjegjëse për tragjedinë e së mërkurës janë autoritetet që lejuan ndërtimin e njësive modulare. Ka thënë se ky spital s’është dashur të ndërtohej fare.
Ai ka thënë se populli më s’beson që hetuesia do të kryejë punën e saj pasi që “drejtësia është e grabitur nga politika”.
Edhe
Dënime me kusht për tragjedinë në Spitalin modular në Tetovë
Xhaferi ka deklaruar se ekzistojnë dyshime se spitali nuk është pajisur me aparate kundër shuarjes së zjarrit apo me detektorë të tymit.
Ai e ka cilësuar tejet të rëndësishme që presioni publik e interesi i tij të mos zbehet pasi sipas tij, “janë mësuar që hetimet të ndalen duke lejuar kalimin e kohës”.