Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Xhaferi: Qeveria u vonua në sigurimin e vaksinës, interesimi i qytetarëve është shumë i madh

Zyrtari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, njëkohësisht kryetari i Vushtrrisë, Xhafer Tahiri, ka kritikuar Qeverinë Kurti për sigurimin e vaksinës ndaj koronavirusit, duke thënë se janë vonuar dhe se duhet angazhuar më tepër që të ketë doza të mjaftueshme.

Aktualisht, Kosova nuk ka të nënshkruar asnjë kontratë për blerje vaksinash me ndonjë kompani farmaceutike.

“Unë mendoj që ne jemi vonuar shumë me sigurim të vaksinave, interesimi i qytetarëve është shumë i madh dhe kërkesa e tyre për vaksinim është shumë e madhe, ne si komuna po bëjmë të pamundurën me stafin tonë që t’i kryejmë në kohë procesin e vaksinimit, ju keni parë në Vushtrri një rregull të jashtëzakonshëm gjatë procesit të vaksinimit por mungesa e vaksinave ka bërë që të kemi fluks më të madh të njerëzve dhe të moshuarve nga frika se do të mbesin pa u vaksinuar dhe kjo po i shkakton tollovi”, ka thënë Tahiri për EO.

“Ju lutemi siguroni sa më shumë vaksina, më shpejtë vaksinat, nënshkruani kontratat, asnjë prioritet më i madh në këtë vend, nuk është dhe çdo jetë e humbur ju them që është tepër, në qytetin tim kemi pasur 40% gati rritje të vdekshmërisë së njerëzve në krahasim me vitet e kaluara dhe duhet të bëjmë që sa më parë të sigurohen vaksinat”, tha Tahiri.

Kryetari i Komunës së Vushtrrisë ka thënë se njerëzit po shkojnë të vaksinohen me frikën se nuk do të ketë më vaksina, dhe sipas tij, ky është maltretim për qytetarët.

“Sikur të kishim pasur mjaftueshëm vaksina do të kishim mund të shpërndahemi edhe nëpër Qendrat e Mjekësisë Familjare nëpër fshatra dhe t’i kryejmë më shpejtë procesin e vaksinimit dhe jo të kemi grumbullim e mundim të të moshuarve tonë dhe rrezikim të shëndetit të tyre duke ardhur dhe duke u munduar me marrë vaksinën”, theksoi ai.

Edhe Tahiri i LDK-së: Për 3 muaj, të gjithë fshatrat në Vushtrri do të kenë ujë Zgjedhjet lokale Tahiri i LDK-së: Për 3 muaj, të gjithë fshatrat në Vushtrri do të kenë ujë

Më 12 maj, në Kosovë kanë arritur 38,400 dozat e vaksinës kundër koronavirusit përmes programit Covax të Organizatës Botërore të Shëndetësisë, i cili ka për qëllim shpërndarjen e vaksinave në vendet e varfra.

Ky ishte kontingjenti i dytë i vaksinave që Kosova pranoi nga program Covax, pasi më 28 mars, kishte arritur dërgesa e parë me 24.000 doza të vaksinës. Ndërsa, më 5 maj, vendi kishte pranuar edhe dy kontingjente vaksinash Pfizer/BioNTech, me mbi 7,000 doza në total, si donacion nga Bashkimi Evropian.BE-ja ka ndarë gjithsej 95,000 doza të vaksinave për Kosovën, të cilat do të shpërndahen gradualisht.