Kryetari i rizgjedhur i Komunës së Obiliqit, Xhafer Gashi po synon që të qeverisë i vetëm në katër vjetët e ardhshme. Në një përgjigje të zyrtares për marrëdhënie me publikun, Arba Mirena, që është në kuadër të Zyrës së kryetarit Gashi, thuhet se edhe gjatë garës zgjedhore Iniciativa Qytetare për Obiliqin koalicionin e vetëm e ka pasur me qytetarin.
“Iniciativa Qytetare për Obiliq në zgjedhjet e 17 tetorit, ka dalë subjekti politik më i votuar si në garën për Asamble Komunale ashtu edhe në kandidaturën për kryetar komune. Në ruandin e dytë Iniciativa Qytetare për Obiliq dhe kandidati i saj për kryetar z.Xhafer Gashi, bindshum ka fituar mandatin e ri qeverisës (2022-2025). Iniciativa Qytetare për Obiliq si subjekti politik më i votuari nga të gjitha subjektet e tjera garuese sa kanë qenë në Obiliq, koalicionin e vetëm e ka me qytetarët e Obiliqit”, ka theksuar Arba Mirena.
Megjithëse kjo Iniciativë i ka 9 nga 21 ulëset e Kuvendit Komunal të Obiliqit, ajo ka thënë se nuk shohin ndonjë problem për miratimin e vendimeve.
“Ndërkaq lidhur me temën e shumicës në Kuvend dhe nëse do ketë ndonjë problem eventual në kalimin e vendimeve dhe projekteve, Iniciativa Qytetare për Obiliq dhe qeverisja e saj shpreh bindjen e plotë se anëtarët e Kuvendit Komunal do të votojnë për projektet madhore që do të realizohen në Komunën e Obiliqit. Iniciativa Qytetare për Obiliq garanton zhvillim dhe mirëqenie socio-ekonomike për gjithë qytetarët pa dallim”, ka thënë ajo.
Xhafer Gashi i ka ushtruar dy mandate në krye të Obiliqit dhe deri para disa muajve ai ka qenë pjesë e AAK-së. Ndërsa, mandatin e tretë e ka fituar si kryetar i Iniciativës Qytetare për Obiliqit, pas garës në balotazh me kandidatin e LVV-së, Halil Thaçi. Në balotazh Gashi i ka marrë 6 mijë e 522 vota ose 61.30 për qind, kurse Thaçi 4 mijë e 117 vota ose 38.70 për qind. Ndërkohë, në Kuvendin Komunal nga 21 ulëse, IQ i ka 9, LVV 4 dhe nga 2 këshilltarë do t’i kenë, LDK, LS, LB dhe PDK.