Arbëri

Gashi: Qytetari i Obiliqit, kryefjala në qeverisjen time

Kryetari i rizgjedhur i Obiliqit, Xhafer Gashi, ka thënë se qytetari i kësaj komune do të jetë kryefjala në qeverisjen e tij.

Në mbledhjen inauguruse të Kuvendit të ri të Obiliqit, i dalë nga zgjedhjet e 17 tetorit, Gashi ka thënë se nuk do të mungojë bashkëpunimi ekzekutiv-legjislativ në përmbushjen e pritjeve të qytetarëve.

Pas intonimit të himnit të Republikës së Kosovës dhe atij kombëtar, mbledhjen ka filluar ta kryesojë këshilltari më i vjetër i Kuvendit të Obiliqit, Enver Gashi, i cili është edhe vëllai i Xhafer Gashit. Pas betimit të këshilltarëve të rinj, është betuar edhe kryetari i rizgjedhur Gashi.

Në fjalën e tij, Gashi, ka thënë se ky mandat do të jetë vazhdim i punës së deritanishme.

“Është nder i madh të jem sot para jush në këtë ceremoni solemne të dhënies së betimit për këtë mandat të tretë qeverisës. Falënderoj edhe qytetarët për dhënien e mbështetjes së tyre për vizionin tonë. Ju siguroj për një bashkëpunim ndërinstitucional, ekzekutiv-legjislativ në përmbushjen e pritjeve të qytetarëve të Obiliqit. Ky mandat do të jetë vazhdim i punës, vullnetit e angazhimit të pandalshëm për të përmbushur nevojat e qytetarëve. Qytetari i Obiliqit do të jetë kryefjala”, është shprehur Xhafer Gashi.

Ai ka premtuar shërbime efikase administrative, tranparsncë e llogaridhënie.

“Do të punoj fuqishim në ngritjen e cilësisë në arsim, shërbime shëndetësore, e projekte infrastrukturore. Një komb që punon për brezat e rinj ka të ardhur të garantuar. Ne do të mbështesim dhe do të bëjmë më të lehtë rrugëtimin e tyre”, ka theksuar kryetari i Obiliqit.

Ai ka premtuar ndihmë për studentët e dalluar, shenctarët e ardhshëm, fermerët, ndihmë për kulturën, etj.

“Me përkrahjen tonë do të bëjmë përparimin e bujqësisë për zhvillimin ekonomik. Do të mbërojmë mjedisin, që deponitë t’i shndërrojmë në fusha të gjelbra, fusha sportive e rekreative. Uroj për secilin prej nesh që pas këtij betimi të kemi harmoni, punë dhe përkushtim drejt realizimit të projekteve dhe punëve të mira për qytetarët e Obiliqit”, ka thënë Gashi.

Xhafer Gashi i ka ushtruar dy mandate në krye të Obiliqit dhe deri para disa muajve ai ka qenë pjesë e AAK-së. Ndërsa, mandatin e tretë e ka fituar si kryetar i Iniciativës Qytetare për Obiliqit, pas garës në balotazh me kandidatin e LVV-së, Halil Thaçi.

Në balotazh, Gashi i ka marrë 6 mijë e 522 vota ose 61.30 për qind, kurse Thaçi 4 mijë e 117 vota ose 38.70 për qind. Ndërkohë, në Kuvendin Komunal nga 21 ulëse, IQ i ka 9, LVV 4 dhe nga 2 këshilltarë do t’i kenë, LDK, LS, LB dhe PDK.

Edhe pse nuk e ka shumicën në Kuvend, Xhafer Gashi, nuk ka dhënë shenja se do të bëjë koalicion me ndonjë parti politike, e përfaqësuar në Kuvendin Komunal.

Në një përgjigje të zyrtares për marrëdhënie me publikun, Arba Mirena, që është në kuadër të Zyrës së kryetarit Gashi, dhënë KOHËS javën e kaluar, thuhet se edhe gjatë garës zgjedhore Iniciativa Qytetare për Obiliqin koalicionin e vetëm e ka pasur me qytetarin.

“Iniciativa Qytetare për Obiliq në zgjedhjet e 17 tetorit, ka dalë subjekti politik më i votuar si në garën për Asamble Komunale ashtu edhe në kandidaturën për kryetar komune. Në ruandin e dytë Iniciativa Qytetare për Obiliq dhe kandidati i saj për kryetar z.Xhafer Gashi, bindshum ka fituar mandatin e ri qeverisës (2022-2025). Iniciativa Qytetare për Obiliq si subjekti politik më i votuari nga të gjitha subjektet e tjera garuese sa kanë qenë në Obiliq, koalicionin e vetëm e ka me qytetarët e Obiliqit”, ka theksuar Arba Mirena.