Kryetari i Komunës së Obiliqit, Xhafer Gashi, ka dhënë dorëheqje të parevokueshme nga të gjitha funksionet e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës.
Në një komunikatë, ai ka thënë se kjo dorëheqje ka ardhur pas zhvillimeve që kanë ndodhur në të gjitha strukturat e kësaj partie në Obiliq. Gashi ka thënë se tutje do të jetë kryetar i pavarur i Obiliqit.
“Po bëhen më shumë se 15 vite prej kur jam aktiv në jetën publike dhe në shërbim të qytetarëve të Kosovës, ndërsa që nga viti 2013 një ekip i tërë profesionistësh nisëm rrugëtimin politik për qeverisje në nivel lokal, për këto shtatë vite e gjysmë bashkërisht kemi dëshmuar përkushtim dhe angazhim të sinqertë në realizimin e projekteve të shumta që kanë ndikim të drejtpërdrejtë në ndryshimin e mirëqenies së qytetarëve të Obiliqit”, ka thënë nëpërmjet kësaj komunikate Xhafer Gashi.
Ka thënë se me vëmendje të plotë i ka përcjellë të gjitha zhvillimet e fundit politike, veçmas ato brenda strukturës së Aleancës në Obiliq.
“Andaj si rrjedhojë e këtyre situatave ndjej obligim moral por edhe njerëzor të ju njoftoj se kam marrë këtë vendim: Jap dorëheqje të parevokueshme nga kryetari i degës së AAK-së në Obiliq dhe nga të gjitha funksionet dhe përgjegjësit e mija brenda strukturës së Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës si në nivelin lokal ashtu edhe atë qendror, ndërsa do të vazhdojë angazhimin tim si kryetar i komunës së Obiliqit”.
Kjo dorëheqje, sipas Gashit, vjen si rrjedhojë e zhvillimeve brenda strukturës së Aleancës në Obiliq, pas dorëheqjes se nëntë asamblistëve të Kuvendit Komunal, kryesisë së degës, forumit rinor dhe nga 21 nëndegë.
“20 prej tyre iu kanë bashkuar kësaj dorëheqjeje dhe shumë aktivistë me të cilët rrugëtuam së bashku. Mos-realizimit të premtimeve të nivelit qendror për zbatimin e tërësishëm të Ligjit për Obiliqin e në veçanti në aspektin e çështjes së punësimit të qytetarëve të Obiliqit, një kërkesë kjo e kamotshme e banorëve si dhe duke patur për bazë që edhe nevojat e KEK-ut janë të domosdoshme, pavarësisht angazhimit tim të pandalshëm që kjo çështje të realizohet asnjëherë nuk është krijuar një zgjidhje për këtë problem”, ka thënë tutje kryetari i Obiliqit.
Edhe
Gashi tregon arsyet e dorëheqjes nga AAK-ja e Obiliqit, thotë se do të rikandidojë me listë qytetare
“Si dhe si rezultat i kërkesës së vazhdueshme të qytetarëve të Obiliqit që angazhimin tim politik ta vazhdojë si kryetar i pavarur. Pra, gjithmonë para çdo lloj interesi apo bindjeje në plan të parë kam qytetarin e Obiliqit, andaj për mua besimi i qytetarit është vlerë e shenjtë e cila po dëshmohet përmes vullnetit të përbashkët për të ndërtuar qytetin e Obiliqit”.
Në këtë komunikatë ai ka paraqitur një listë të gjatë të projekteve, që sipas tij, janë kryer përgjatë kësaj kohe.
“Më lejoni të theksoj se përkundër sfidave të shumta, ne arritëm të realizojmë synimet tona të përbashkëta dhe asnjëherë në asnjë kohë nuk hoqëm dorë nga ajo që ishte e drejtë dhe më e domosdoshme për qytetarët e Obiliqit, normalisht në koordinimit të mirëfilltë me institucionet e nivelit qendror, pra Obiliqi është rikthyer në një realitet të ri, në një qytet që dita e ditës po merr pamje të re e moderne”, ka thënë tutje ai.