Arbëri

Wesley Clark do të dëshmojë në Hagë se Thaçi nuk e kontrollonte UÇK-në

Gjenerali amerikan që udhëhoqi forcat e NATO-s gjatë fushatës ajrore kundër Serbisë në vitin 1999 do të jetë dëshmitari i fundit i mbrojtjes në procesin gjyqësor ndaj ish-udhëheqësve të UÇK-së. Wesley Clark pritet të dëshmojë se Thaçi nuk e kontrollonte guerilen.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë dhënë autorizimin që gjenerali Wesley Clark të dëshmojë në gjykimin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.

Informata është bërë e ditur në parashtrimin që ka bërë në Gjykatën Speciale avokati i Thaçit, Luka Mishetiq.

Gjenerali amerikan që udhëhoqi forcat e NATO-s gjatë fushatës ajrore kundër Serbisë në vitin 1999 do të jetë dëshmitari i fundit i mbrojtjes dhe pritet të dëshmojë se Thaçi nuk e kontrollonte UÇK-në.

“Ai jep vëzhgimet dhe përshtypjet e tij mbi mungesën e strukturës dhe organizimit të UÇK-së, dhe mungesën e çdo komandimi ose kontrolli funksional. Ai gjithashtu vëzhgoi mungesën e kontrollit që kishte Z. Thaçi mbi UÇK-në, dhe se ai ishte vetëm një person politik pa përvojë ushtarake, si dhe përshkruan pse do të ishte e padrejtë të atribuohej keqadministrimi i të tjerëve tek z. Thaçi”, thuhet në parashtrimin e avokatit të Thaçit, Luka Mishetiq.

Ngjashëm si gjenerali amerikan, edhe dëshmitarët e deritashëm të mbrojtjes kanë insistuar se Thaçi dhe as anëtarët e tjerë të Shtabit të Përgjithshëm nuk kanë pasur kontroll efektiv mbi UÇK-në, e për rrjedhojë krimet potenciale nuk mund t’u atribuohen atyre.

Clark pritet të paraqitet në Hagë në muajin e ardhshëm. Ai do të dëshmojë për periudhën gjatë luftës, por edhe për zhvillimet e pasluftës.

“Clark v.j.) përshkruan dijeninë për valën e dhunës në verën e vitit 1999 pas kthimit të refugjatëve kosovarë dhe analizon shkaqet e kësaj dhune dhe faktin se ai nuk besonte se udhëheqja e UÇK-së ishte e angazhuar në një përpjekje të koordinuar për të sulmuar serbët ose minoritetet”, thuhet në parashtrim.

Në Hagë, ndaj Thaçit është duke u zhvilluar edhe një proces tjetër, që lidhet me vepra penale kundër administrimit të drejtësisë. Bashkë me të akuzohen edhe Bashkim Smakaj, Isni Kilaj, Fadil Fazliu dhe Hajredin Kuçi.

Në dosjen e dorëzuar nga avokatja Sophie Menegon, procesi është cilësuar si përpjekje e Prokurorisë për të ndikuar në rezultatin e rastit për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

Mbrojtja e Thaçit ka insistuar se ky rast është i motivuar nga dëshira për të justifikuar masat e tepruara hetimore të Prokurorisë në vitin 2023 të bazuara në akuza, që, sipas avokatëve, shumica nuk qëndrojnë.

“ZPS-ja ka folur vazhdimisht për këtë rast si një çështje që përfshin “ndërhyrje ndaj dëshmitarëve”, përfshirë edhe në deklaratat e saj të fundit publike. Kjo jo vetëm që rrezikon prezumimin e pafajësisë së z. Thaçi, por edhe shtrembëron akuzat”, thuhet në dosjen e dorëzuar nga Menegon.

Thaçi, Veseli, Selimi e Krasniqi ndodhen në qendrën e paraburgimit në Hagë që nga nëntori i vitit 2020.