Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Walker lë në gjykatë dëshminë për krimet e luftës

William Walker

Foto: Alban Bujari

William Walker, ish-ambasadori i OSBE-së në Kosovë, është paraqitur të mërkurën para Gjykatës Themelore në Prishtinë.

Seanca ku ka dëshmuar ka qenë e mbyllur. 

Siç mëson KOHA, Walker ka ardhur në kuadër të asaj që quhet hetuesi e veçantë që bëhet në rastet kur vlerësohet se një dëshmi duhet të merret jashtë radhe shkaku i rrezikut që dëshmitari nuk do të mund të dëshmojë shkaku që llogaritet se është në moshë shumë të shtyrë.

Para seancës i pyetur nga KOHA përse është në gjykatë dhe a lidhet kjo me rastin e Masakrës së Reçakut, Walker ka thënë vetëm se ka marrë ftesë dhe se i është përgjigjur pozitivisht asaj.

“Më është bërë kërkesë që të vij në Gjykatë dhe kur më kërkohet, unë vij”, ka thënë ai. “Supozoj se po (ka të bëjë me Masakrën e Reçakut, v.j.). Ashtu supozoj, por s’jam i sigurt. Në këtë gjë jam i përfshirë tashmë qe 26 vjet. Kështu që mezi po pres të flas”.

Në sallë nuk ka pasur të dyshuar, por vetëm avokatë të të dyshuarve në mungesë. I pranishëm ka qenë edhe prokurori special Ilir Morina.

Walker ishte shef i misionit verifikues të OSBE-së në Kosovë në periudhën 1998-99. Ai pati rol kyç në ekspozimin e Masakrës së Reçakut në Shtime para gjithë botës. Më 16 janar 1999, Walker vizitoi vendin e ngjarjes ku ishin ekzekutuar 45 civilë shqiptarë. E pati cilësuar veprën krim kundër njerëzimit dhe akuzoi forcat serbe. Deklarata pati nxitur reagime të fuqishme ndërkombëtare.

Edhe Walkeri dëshmon në gjykatë për masakrën e Reçakut LAJMET E MBRËMJES Walkeri dëshmon në gjykatë për masakrën e Reçakut

Për këtë masakër deri tash janë dënuar dy serbë, por asnjëri nuk është duke vuajtur burgimin – njëri është në arrati e tjetri është dënuar në mungesë.

Walker është 89-vjeçar.


LEXO EDHE: