Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Wadephul: Deklaratë amatoreske e Scholzit në Beograd

Nënkryetari i partisë më të madhe opozitare gjermane, CDU/CSU, Johann David Wadephul, ka kritikuar itinerarin dhe deklaratat e kancelarit gjerman, Olaf Scholz, dhjetë ditë më parë në Ballkan. Gjatë një fjalimi në Bundestag, të mërkurën, me rastin e një debati për Ballkanin Perëndimor, Wadephul e quajti udhëtimin të dështuar, çka sipas tij dukej që nga ndalesat: “Njëherë në Prishtinë e më pas në Beograd. Që aty u duk se udhëtimi ishte tejet problematik”.

Wadephul e quajti amatoreske deklaratën e kancelarit gjerman socialdemokrat gjatë vizitës së tij në Beograd për domosdoshmërinë e njohjes së Kosovës nga Serbia, si parakusht për hyrjen e saj në BE.

“Kjo është e dëshirueshme dhe këtë e dinë të gjithë, por njohja duhet të vijë në fund të një procesi, ndërsa tani kjo deklaratë e thënë në publik në mënyrë kaq amatoreske e ngarkon të gjithë procesin, i cili është bërë i vështirë për Serbinë”, ka thënë Wadephul.

Ndryshe nga kancelarja gjermane, Angela Merkel, e cila në konferenca shtypi ishte e përmbajtur dhe dhe deklaratat i jepte zakonisht pas dyerve të mbyllura, kancelari aktual Olaf Scholz e befasoi opinionin në Serbi, me kërkesën e tij për njohjen e Kosovës. Vendosja e Kosovës në qendër, dhe jo në fund të procesit të normalizimit të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë është një nga kërkesat kryesore të Kosovës për dialogun.

Në debatin e Bundestagut për Ballkanin Perëndimor, Wadephul foli në emër të grupit të tij parlamentar dhe prezantoi mocionin e këtij grupi për angazhim të Gjermanisë për afrimin e Ballkanit Perëndimor në BE. Mocioni kërkon ndër të tjera që qeveria gjermane të angazhohet me të gjitha forcat dhe me hapa konkrete për çeljen e negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, për njohjen e Kosovës dhe anëtarësimin e saj në organizatat e ndryshme, për liberalizimin e regjimit të vizave me qytetarët e Kosovës.

Edhe Wadephul kërkon formim të shpejtë të një qeverie stabile, Osmani mbështetje për Kosovën Arbëri Wadephul kërkon formim të shpejtë të një qeverie stabile, Osmani mbështetje për Kosovën

Wadephul nuk harroi të kujtonte kushtet që ka vendosur Bundestagu për Shqipërinë për fillimin e negociatave me BE. “Unë pres nga qeveria gjermane që ajo të mbajë parasysh sidomos vendimet që ka marrë Bundestagu për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, dhe të mos bëjë procedura të përshpejtuara”, u shpreh Wadephul.

Në rezolutën e miratuar nga Bundestagu në tetor 2019, parlamentarët gjermanë i dhanë dritën jeshile qeverisë gjermane që të çelte negociatat me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, por grupi parlamentar CDU/CSU, ku bënte pjesë edhe kancelarja e atëhershme, Angela Merkel, i caktoi qeverisë gjermane nëntë kushte shtesë për Shqipërinë, para se kjo të vendoste për fillimin e negociatave. Vendimi i Bundestagut nuk është obligues për qeverinë gjermane./DW