Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

VV: Nga çerdhe të dijes, Begaj e kthen arsimin e Malishevës në çerdhe të korrupsionit!

Lëvizja Vetëvendosje në Malishevë përmes një reagimi ka shprehur shqetësimet në lidhje me informacionet të cilat janë publikuar në media e që kanë të bëjnë me skandalin, në të cilin është i përfshirë drejtori i gjimnazit “Hamdi Berisha” në Malishevë, Izet Hoti, ndaj të cilit Gjykata Themelore në Gjakovë ka nisur një proces gjyqësor nën akuzën për keqpërdorim të pozitës zyrtare, marrje ryshfeti.

Sipas Vetëvendosjes, derisa në shkollat tona po pakësohet në mënyrë drastike numri i nxënësve, qeverisja Begaj po e rrit numrin e skandaleve në arsim dhe jo vetëm. Logjika e mbrapsht e qeverisjes së Nismës Socialdemokratesi në rrafshin qendror dhe në atë lokal përbën modelin më eklatant të keqqeverisjes, që formë dhe mjet për mbajtjen e pushtetit e ka nepotizmin, shantazhin dhe keqpërdorimin e pasurisë publike për interesa klienteliste, partiake dhe te mafisë së biznesit.

Skandali i fundit në të cilin është i përfshirë drejtori i gjimnazit, është vetëm një pasqyrë e realitetit të hidhur në të cilin ndodhët sektori i arsimit, e që realisht gjenezën e ka tek keqpërdorimet e njëpasnjëshme që kanë ndodhur gjatë tërë mandatit qeverisës të Nismës.

Lëvizja Vetëvendosje në Malishevë reagon ashpër ndaj akteve të tilla kriminale dhe kërkon urgjentisht nga kryetari Begaj dhe drejtori i Arsimit Blerim Thaçi, që të sqarojnë opinionin publik lidhur me zhvillimet e fundit në gjimnazin “Hamdi Berisha” dhe menjëherë të nisin procedurat ligjore për shkarkimin e drejtorit aktual të kësaj shkolle.