Arbëri

VV-ja në Prishtinë kërkon seancë të jashtëzakonshme për faljen e tatimit deri në 100 euro

Lëvizja Vetëvendosje, dega në Prishtinë, të hënën do ta dërgojë një kërkesë për seancë të jashtëzakonshme në Kuvendin Komunal me të vetmen pikë të rendit të ditës, faljen e tatimit në pronë në vlerë deri në 100 euro për të gjithë tatimpaguesit e kryeqytetit për vitin 2023.

Ide të ngjashme dha të premten edhe ministri i Financave, Hekuran Murati, që është pjesë e kësaj partie. 

“Grupi i Kuvendarëve Komunal nga Lëvizja VETËVENDOSJE! - Qendra Prishtinë, të hënën në mëngjes, do të dorëzojë kërkesën për seancë të jashtëzakonshme të Kuvendit Komunal, me të vetmen pikë të rendit të ditës: Falja e tatimit në pronë në vlerën deri në 100 euro për të gjithë tatimpaguesit e komunës tonë për vitin 2023”, thuhet në njoftimin e VV-së.

Duke pasur parasysh kornizën ligjore të ligjit aktual për tatimin në pronë dhe me qëllim të lehtësimit të barrës së qytetarëve, VV-ja ka ftuar të gjithë anëtarët e Kuvendit Komunal që ta nënshkruajnë këtë kërkesë dhe ta mbështesin nismën.

Kërkesë të ngjashme kanë bërë edhe degët e Vetëvendosjes në Podujevë, Fushë-Kosovë dhe Obiliq. 

Pagesa e tatimit në pronë ka nxitur reagime ditëve të fundit në Kosovë. Ministria e Financave dhe komunat fillimisht ia lanë fajin njëra-tjetrës për rritjen e ndjeshme të faturave të pagesës. Megjithatë, sot, ministri Murati ka thënë se Faturat e tatimit në pronë u rritën pasi tokat filluan të tatohen 100 për qind.