Arbëri

Për ulje të tatimit në pronë opozita i kërkon Muratit ndryshimin e Ligjit

Deputetët e opozitës në Komisionin parlamentar për buxhet punë dhe transfere i kanë kërkuar ministrit të Financave, Hekuran Murati, që të sjellë në Kuvend për ndryshim Ligjin për tatimin në pronë, në mënyrë që komunave të ju lejohet ulja e normës tatimore nën 0.15%, që është e përcaktuar aktualisht.

Deputeti i LDK-së, Avdullah Hoti, e ka shprehur si shqetësim që qytetarët janë informuar me vonesë për rritjen e faturave të tatimit në pronë.

Në mbledhjen e Komisionit ku po raporton Murati, Hoti ka thënë se është dashur të ketë fushatë vetëdijesuese muaj më parë, ndërsa kërkoi menaxhim të situatës.

“Shqetësim që një pjesë e madhe e qytetarëve e kanë dyfish faturën e tatimit ne pronë. Ajo çka më shqetëson mua është mënyra se si jeni duke menaxhuar këtë proces. Fakti që njerëzit u informuan para tre ditësh dhe gjithashtu në buxhet nuk është fare e reflektuar hyrja e të rriturave të komunave. Ti se ke pas idenë qe në janar kanë me ju dyfishuar faturat. Është dashur tre muaj më herët të ketë fushatë vetëdijesuese. Ata e kanë kuptuar me 23 janar që do të ju rritet fatura. Për këtë arsye jemi duke drejtuar gishtin kah ju, për menaxhim të situatës”, ka thënë Hoti.

Hoti i ka kërkuar Muratit që të bëjë një zotim publik për ndryshim të Ligjit për Tatimin në pronë që komunave t’u mundësohet që të ulin edhe nën 0.15 për qind normën e tatimit në pronë.

“Afati është 15 prill për të pagur pjesën e parë të tatimit. Duhet me marr zotim publik që keni me rishikuar ligjin. Dhe keni me pas përkrahjen tonë. Të shtyhet deri në vitin 2024 ose të përshkallëzohet. 85 mijë veta nuk e dinë se sa ka me pas pagën në shkurt e tash fatura po ju dyfishohet”, është shprehur Hoti.

Ndërkohë që ministri Murati ka thënë se për këtë çështje është bërë shumë zhurmë dhe se është thënë që Qeveria ka vendosur ta rrisë tatimin. Sipas tij kjo gjë nuk është e vërtetë.

“Ligji aktual për prona ishte miratuar nga qeveria Mustafa më 4 maj 2017, por nuk ka kaluar në Kuvend, pasi Qeveria kishte rënë një javë më vonë. Më pastaj i njëjti ligj është proceduar në Qeverinë Haradinaj dhe më 26 janar 2018 ka hyrë në fuqi. Ky ligj ka paraparë që në vitin e pestë të hyjë në fuqi tatimimi 100% i tokave. Viti 2023 është kur tatimi në toka aplikohet në vlerën 100 për qind, domethënë këtë e obligon ligji”, ka theksuar Murati.

Por më këtë nuk është pajtuar deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Ferat Shala. “Po thirresh në nisma të kaluara. Pse po fshehësh tash pas ligjit dhe pas Isa Mustafës, ju qe dy vite jeni në pushtet. Brenda dite keni miratuar Ligjin për inspektorat. Ju keni nxjerr vendim në tetor, raport të vlerësimit të pronave. Po fshehësh pas një raporti qe ta ka deleguar pushteti i kaluar. Cila është nisma ligjore që ne atë raport ta hedhim poshtë dhe ta përmirësojmë nenin”, ka theksuar Shala.