Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Vushtrria e Gjilani të pikëlluar për vdekjen e profesor Hajzer Krasniqit

Komuna e Vushtrrisë dhe dega e LDK-së në Gjilan kanë shprehur pikëllimin e tyre për vdekjen e profesorit Hajzer Krasniqit, ish-kryetar i Vushtrrisë dhe udhëheqës i LDK-së në këtë qytet.

Kryetari i Vushtrrisë, Xhafer Tahiri me një telegram ngushëllimi ka thënë se Krasniqi do të mbetet politikani shembull që i qëndroi besnik idealeve të shenjta të shërbimit të ndershëm në interes të qytetarëve dhe të qytetit, transmeton Koha.net.

Vdes Hajzer Krasniqi, ish-kryetari i komunës së Vushtrrisë

Më poshtë mund ta lexoni telegramin e ngushëllimit nga Tahiri:

E nderuara familje e profesor Hajzer Krasniqi!

Të nderuar qytetarë të Vushtrrisë!

Me dhembje e pikëllim të madh morëm lajmin për ndarjen nga jeta të profesorit, atdhetarit, veprimtarit të çështje kombëtare, kryetarit të parë të zgjedhur të Komunës së Vushtrrisë, Prof. Hajzer Krasniqi.

Profesor Hajzer Krasniqi, ishte njeri i urtë, e atdhetar i madh, ai nga qytetarët e Vushtrrisë do të kujtohet gjithmonë si Kryetari i parë i zgjedhur me votën e lirë të qytetarëve të Vushtrrisë. Profesori Hajzer, ishte njeri i popullit e donte popullin e tij të cilët i besuan vizionit të tij edhe në kohërat më të vështira por edhe pas përfundimit të luftës.

Profesor Hajzer Krasniqi iu bashkua që në fillim vizionit të Dr. Ibrahim Rugovës dhe intelektualëve të tjerë në lëvizjen e madhe nacionale për liri e pavarësi të Kosovës në fillim vitet 90-ta. Profesor Krasniqi ishte themelues e kryetar i parë i Degës së Lidhjes Demokratike të Kosovës në Vushtrri, anëtarë i Kryesisë qendrore të LDK-së dhe një nga bashkëpunëtorët më të afërt e më besnik të Dr. Rugovës. Ai ishte edhe kryetar i Këshillit për Pajtimin e Gjaqeve në Komunën e Vushtrrisë, ishte po ashtu edhe Qytetar Nderi i Vushtrrisë.

Ai mbetet politikani shembull që i qëndroi besnik idealeve të shenjta të shërbimit të ndershëm në interes të qytetarëve dhe të qytetit.

I qoftë i lehtë dheu i Kosovës që aq shumë e deshi dhe për lirinë e pavarësinë e të cilës punoi deri në frymën e fundit.

E nderuara Familje Krasniqi!

Ju lutem pranoni ngushëllimet më sinqerta në emër timin dhe në emër të gjithë qytetarëve të Vushtrrisë!

Me pikëllim,

Xhafer Tahiri, kryetar

Kurse kryetari i komunës së Gjilanit dhe nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri ka thënë se Krasniqi do të kujtohet përjetësisht për kontributin e tij të jashtëzakonshëm për çështjen kombëtare.

Në telegram, thuhet:

E nderuara familje Krasniqi,

Me dhembje të madhe pranova lajmin për ndarjen nga jeta të veprimtarit të LDK’së dhe ish-kryetarit të Vushtrrisë, profesor Hajzer Krasniqi.

Familje e nderuar, ju duhet të jeni krenarë me profesor Hajzerin sepse ai me krejt kapacitetin e tij intelektual punoi pareshtur në disa nivele për të mirën e përgjithshme.

Profesor Hajzerin do ta kujtojmë përgjithmonë për kontributin e tij të jashtëzakonshëm për çështjen kombëtare, ku edukoi gjenerata të tëra në cilësinë e mësimdhënësit, ishte themelues dhe udhëhoqi me sukses degën e LDK-së atje në një kohë të pakohë, ndërkaq një kontribut të jashtëzakonshëm dha edhe në Këshillin Kombëtar të Pajtimit dhe në cilësinë e kryetarit të Vushtrrisë, pas luftës.

I shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjes, shokëve, kolegëve, miqve dhe farefisit. Lamtumirë, miku im!.

Artikuj të ngjashëm