Rrjeti Evropian i Operatorëve të Sistemit të Transmisionit për Energji Elektrike (ENTSO-E) ka refuzuar kërkesën e Kosovës që të marrë përsipër distribuimin e rrjetit elektrik në veri të vendit, ka thënë sot presidenti serb, Aleksandar Vuçiq.
“E mposhtëm Kosovën në Rrjetin Evropian të Operatorëve të Sistemit të Transmisionit për Elektricitet (ENTSO-E). Është një fitore e vogël për ne, jemi të lumtur për këtë, sepse Kosova nuk ia doli të bëjë atë që kishte planifikuar të bënte në fushën e energjetikës”, ka thënë Vuçiqi, raporton gazeta serbe “Blic”.
Ai ka thënë se Hungaria, edhe pse e ka njohur pavarësinë e Kosovës, ka votuar për Serbinë e kundër Kosovës. Po ashtu, siç shtoi ai, Rumania, Greqia e Bosnja votuan kundër propozimit të Kosovës, transmeton Koha.net.
“Faleminderit të gjithëve që votuan kundër Kosovës në këtë organizatë, por edhe Malit të Zi e Maqedonisë të cilat kësaj radhe abstenuan. Për ta një humbje e vogël, por për ne një fitore e madhe”, theksoi Vuçiqi.
Ai foli edhe për kërkesën e Kosovës për anëtarësim në Interpol, duke theksuar se nuk është e habitshme që Gjermania të përkrahë kërkesën e tyre.
“Por të më pyesnit dy ditë më parë, do t’u thosha se s’kemi shanse për ENSO-E, por ia dolëm. Për ta punojnë të gjithë, edhe amerikanët e të tjerët. Ne mbështetemi në miqësi me disa shtete, do të luftojmë deri në momentin e fundit”, shtoi presidenti serb, Vuçiq.
Kujtojmë se moszbatimi i marrëveshjes për energjinë nga ana e Serbisë po ia pamundëson Operatorit të Sistemit, Transmisionit dhe Tregut të energjisë elektrike të Kosovës (KOSTT) që të anëtarësohet në Rrjetin Evropian të Operatorëve të Sistemit të Transmisionit të Energjisë Elektrike (ENTSO-E).
Për rrjedhojë, KOSTT-i nuk po mund të funksionojë si bllok/zonë kontrolluese e pavarur në kuadër të zonës sinkrone të Evropës Kontinentale, raporton Koha.net.
Më 2015 është nënshkruar Marrëveshja për lidhje në mes të KOSTT-it dhe ENTSO-E. Parakushte për zbatimin e plotë të kësaj marrëveshjeje janë regjistrimi dhe licencimi i kompanisë furnizuese për veriun e Kosovës.
Këtë gjë nuk e ka bërë ende Serbia. E në mungesë të zbatimit të marrëveshjes, operatori serb i transmisionit të energjisë, EMS, vazhdon të ketë përfitime milionëshe nga alokimi i kapaciteteve të linjave kufitare të Kosovës me shtetet fqinje. Vetëm në vitin 2017, sipas të dhënave të KOSTT-it, EMS-ja ka inkasuar 9.6 milionë euro.