Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, është takuar në Pekin me presidentin rus Vladimir Putin, ku ndër temat ka qenë edhe Kosova.
Vuçiq ka thënë se kishte bisedë të hapur dhe të sinqert me Putinin, për “tema me interes të ndërsjellë”.
Ai tha se diskutuan edhe për bashkëpunim shkencor dhe ushtarako-teknik.
“Folëm edhe për atë që ata e quajnë ‘pikë kthese’, të formojmë edhe në vendin tonë. Folëm për bashkëpunim ushtarako-teknik, e po ashtu për çështjen e Kosovës e Metohisë. Rusia është e vendosur në pozicionin e integritetit territorial të Serbisë”, ka thënë Vuçiq, transmeton “B92”.
Ai ka thënë se është diskutuar edhe për situatën në Bosnjë-Hercegovinë.
“Mora pikëpamje të qarta të Federatës Ruse për këtë. Besoj se presidenti Dodik do të ketë takime edhe me ministrat e qeverisë ruse pas shtatë apo dhjetë ditësh. Nuk është e lehtë të flasësh me Putinin për një orë e gjysmë, duhet të kujdesem për çdo fjalë”, tha Vuçiq. “Folëm po ashtu për çështje gjeopolitike, për të gjitha aspektet e bashkëpunimit mes Serbisë dhe Rusisë”.
Vuçiq tha se Putini ia ka vënë në dukje “se disa njerëz nuk duan të më shohin në krye”.
“Ai respekton pavarësinë tonë”, tha Vuçiq.
Vuçiq do të ketë edhe takime të nivelit të lartë me përfaqësues të Kinës.
Presidenti i Serbisë ka komentuar edhe deklaratat e kryeministrit të Kroacisë, Andrej Plenkoviq, të bëra dje në Forumin Strategjik të Bledit, që tha se Serbia është në prag të luftës civile.
“Sa i përket deklaratave të Plenkoviqit, ato janë sigurisht keqdashëse dhe jam i befasuar që disa nga njerëzit tanë nuk e shohin këtë...Nuk do të ketë luftë civile në Serbi”, tha Vuçiq.
Vuçiq ka shkruar për takimin me Putinin edhe në një postim në Instagram.
“Shpreha mirënjohjen time personale ndaj presidentit Vladimir Putin për respektin dhe mbështetjen e tij për ruajtjen e integritetit territorial të Serbisë, si dhe për qëndrimin e tij miqësor ndaj popullit serb”, ka shkruar Vuçiq.