Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka paralajmëruar vazhdimin e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, i cili ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian.
Në një intervistë për Radio Televizionin e Serbisë (RTS), Vuçiq tha se "nuk është i sigurt nëse Prishtina dëshiron të zbatojë diçka nga dialogu, për shkak të arsyeve të brendshme".
Kosova dhe Serbia zyrtarisht janë të përfshira në procesin e dialogut për normalizimin e raporteve, të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian, porse një takim në nivel liderësh, i parashikuar të mbahet në fund të shtatorit, është shtyrë vazhdimisht, nën arsyetimin e “bllokimit nga pandemia”. Por, pandemia e koronavirusit nuk ka penguar takimin e datës 29 tetor, të shefave të delegacioneve të Kosovës dhe Serbisë, Skender Hyseni dhe Petar Petkoviq në Bruksel, ku kanë diskutuar për zgjidhjen e pretendimeve financiare dhe çështjeve të pronës midis dy vendeve.
Krahas dialogut në Bruksel, Kosova dhe Serbia më 4 shtator kanë nënshkruar në Uashington, në prani të presidentit amerikan, Donald Trump, një marrëveshje për normalizim të raporteve ekonomike.
Pas zgjedhjeve të 3 nëntorit në SHBA, dhe fitores së kandidatit demokrat, Joe Biden, shumë ekspertë kanë ngritur pyetje lidhur me fatin e kësaj marrëveshjeje.
Por, Vuçiq tha se Serbia respekton këtë marrëveshje pavarësisht ndryshimit të administratës amerikane.
Edhe
Lajçaku e Vuçiqi flasin për zbatimin e Marrëveshjes bazë
Ai përsëriti se "ka raporte personale të mira me Bidenin", por sipas tij, "do të ishte më mirë për Serbinë nëse mbetet administrata aktuale e SHBA-së".
Vuçiq njoftoi se nesër (4 dhjetor) do të flasë me Këshilltarin e Sigurisë Kombëtare të SHBA-së, Robert O'Brien, dhe se besonte se do të kishte mundësinë të takonte, Joe Bidenin në gjysmën e parë të vitit të ardhshëm./REL