Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, u është drejtuar serbëve të mërkurën mbrëma, për herë të dytë qëkur nisi lufta në Ukrainë.
Ai e ka quajtur situatë tejet të vështirë për të dhe Serbinë, ndërkohë që ka thënë se ky është vetëm fillimi i presionit mbi Serbinë për t’u rreshtuar me Perëndimin kundër Rusisë, që ka nisur pushtimin e Ukrainës.
Vuçiqi ka paralajmëruar edhe “kurthe” për Serbinë, teksa ka folur për Kosovën.
“Pres që në periudhën e ardhshme të ketë disa kurthe për Serbinë. E patë që shqiptarët (Kosova v.j.) aplikuan për anëtarësim në NATO, e patë që morën mbështetjen e një forcë si Turqia”, tha Vuçiqi, përcjell “b92” të mërkurën.
Ai pret që një prej iniciativave të ardhshme të jetë përjashtimi i Rusisë nga Këshilli i Sigurimit të OKB-së, e më këtë sipas tij, do të hapej rruga për pranim të pavarësisë së Kosovës nga kjo organizatë.
Edhe
Vuçiqi thotë se i druhet konfliktit në Kosovë
“Ata planifikojnë ta bëjnë këtë në bazë të nenit 6. Pastaj të hapin dyert për ndryshimin e Rezolutës 1244, me çka nuk kemi më bazë ligjore dhe do të pasojë njohja e pavarësisë së Kosovës (nga OKB-ja v.j.)”, tha ai.
Serbia nuk ka pranuar të rreshtohet me Perëndimin për të vënë sanksione kundër Rusisë.