Fushatë lobuese kundër fuqizimit të subjektivitetit ndërkombëtar të Kosovës në arenën ndërkombëtare, ka ndërmarrë presidenti i Serbisë Aleksandër Vuçiq gjatë vizitës që po zhvillon në Kinë. Megjithëse Marrëveshja e Brukselit dhe aneksi për zbatimin e saj, i kërkon Serbisë të mos lobojë kundër anëtarësimit të Kosovës në organizata ndërkombëtare, Vuçiqi deklaroi nga Pekini se pas bisedës me presidentin e Kenias, pret që ky shtet të mos e njohë Kosovën
Presidenti serb, Aleksandër Vuçiq, është krenuar para homologut të tij kinez se Serbia është i vetmi vend në Evropë që nuk i është bashkuar asnjëherë ndonjë deklarate kundër Kinës dhe se miqësia mes dy vendeve i ka rezistuar provës së kohëve të vështira. Temë diskutimi në takimin e zhvilluar mes Vuçiqit dhe presidentit të Kinës, Xi Jinping, ishte edhe Kosova.
Vuçiqi ka deklaruar para gazetarëve se me të foli për respektimin e normave juridike ndërkombëtare dhe për atë, nëpër të cilën po kalon Serbia. Ai sërish është ankuar për kinse zbatimin e standardeve të dyfishta, mosrespektimin e Kartës së OKB-së dhe Rezolutës 1244 për Kosovën.
“Kemi hasur në mirëkuptimin e miqve tanë kinezë. Biseduam edhe për gjëra të tjera që janë të nevojshme për ne, nga bashkëpunimi në të gjitha fushat e ekonomisë e deri te bashkëpunimi ushtarako-teknik”, ka thënë Vuçiq. “Në kushtet e presionit jo të vogël ndaj Republikës së Serbisë, vendi ynë është i vetmi në Evropë që kurrë nuk është bërë pjesë e deklaratave që kritikonin ose sulmonin Kinën, për çfarëdo çështje. Sa i përket Hong Kongut, Tibetit, Xinjiangit, Tajvanit apo çdo çështje tjetër, ne kemi qenë gjithmonë në anën e Kinës, politikës së një Kine dhe kështu do të mbetet”.
Fushata e Vuçiqit kundër njohjeve të Kosovës
Në kundërshtim me dakordimin e arritur në Bruksel më 27 shkurt, Serbia në margjinat e samitit të Kinës ka lobuar kundër fuqizimit ndërkombëtar të Kosovës. Ai ka shprehur besimin se pas bisedës me presidentin e Kenias, William Ruto, ky shtet nuk do ta njohë Kosovën, me gjithë lobimin që ka bërë Kosova, sipas tij.
“Ka pasur ndikimi të madh të z. Pacollit me qëllimin që Kenia ta njohë Kosovën e pavarur. Dhe besoj se kjo nuk do të ndodhë”, ka theksuar Vuçiqi.
Neni 4 i Marrëveshjes së Brukselit për të cilën shefi i BE-së, Joseph Borrell pati thënë se janë pajtuar si Kosova ashtu edhe Serbia përcakton se palët nisen nga supozimi se asnjëra nga këto të dyja nuk mund të përfaqësojë palën tjetër në sferën ndërkombëtare apo të veprojë në emër të saj.
“Serbia nuk do ta kundërshtojë anëtarësimin e Kosovës në asnjë organizatë ndërkombëtare”, shkruan në marrëveshje.
Një bisedë të shkurtër, Vuçiqi ka thënë se e ka zhvilluar edhe me presidentin e Rusisë, Vladimir Putin, të cilin Perëndimi po e mban nën sanksione pas agresionit mbi Ukrainën. Serbia është ndër vendet e pakta që deri tash ka refuzuar t’i vendosë sanksione Serbisë, me gjithë kërkesën e Perëndimit.
“E pashë presidentin Putin, nuk patëm takim dypalësh, biseduam shkurt, ai pati një takim të rëndësishëm dhe të gjatë me Xi-n”, ka thënë Vuçiq duke shtuar se Putini po “shpërthente nga vetëbesimi”.
“Pashë që ai pati një takim të rëndësishëm dhe të gjatë me presidentin kinez Xi dhe kryeministrin hungarez Orban. Unë fola me Orbanin për seancën e ardhshme të Këshillit Evropian dhe për disa lojëra të tjera që po zhvillohen atje dhe rreth nesh si dhe për disa gjëra të tjera. Mendoj se ishte e dobishme”, ka thënë Vuçiq.
Në kuadër të rritjes së bashkëpunimit, Kina dhe Serbia nënshkruan një plan veprimi afatmesëm për ndërtimin e përbashkët të nismës, “Brezi dhe Rruga për Bashkëpunim Ndërkombëtar”, një memorandum për promovimin e përbashkët të bashkëpunimit industria, si dhe memorandumin për shkëmbim dhe bashkëpunim në fushën e politikave zhvillimore ekonomike.
Serwer: Serbia preferon Kinën e Rusinë para Perëndimit
Eksperti amerikan për çështjen e Ballkanit, Daniel Serwer, e ka një shpjegim se pse Serbia preferon Kinën e Rusinë para Perëndimit.
“Serbia preferon Kinën dhe Rusinë para Perëndimit, sepse ata mbështesin qëndrimin e Beogradit për Kosovën dhe nuk bëjnë pyetje të sikletshme se pse Vuçiqi sponsorizoi një komplot terrorist atje, për lëvizjen autoritare në Serbi ose për dështimin e Serbisë që t’i vendos sanksione Moskës”, ka thënë Serwer.
Ndërkaq Gunther Fehlinger, i cili është kryetar i Komitetit Evropian për NATO-n ka shkruar në Platformën “X”, se vizita e Vuçiqit në Serbi shpërfaq orientimin që ka Serbia.
“Mendoj se rëndësia simbolike nuk mund të jetë më e qartë. Presidenti i Shtetit Serb preferon të vizitojë Kinën për të takuar Putinin në vend që të marrë pjesë në Samitin e BE-së për Ballkanin Perëndimor në Tiranë. Serbia nën zgjedhën e Vuçiqit nuk është më brenda familjes evropiane”, ka shkruar ai.
E, Putini që zhvilloi një nga vizitat e rralla jashtë Rusisë pas nisjes së agresionit mbi Ukrainë, e takoi përfaqësuesin e një vendi anëtar të Bashkimit Evropian. Kremlini publikoi të martën një video në takimin e Putinit me kryeministrin e Hungarisë, Viktor Orban.
Putini deklaroi se Rusia po i ruan dhe zhvillon marrëdhëniet me shumë vende evropiane dhe se një nga këto vende është Hungaria.
“Pavarësisht se në kushtet e sotme gjeopolitike mundësitë për mbajtjen e kontakteve dhe zhvillimin e marrëdhënieve janë shumë të kufizuara, megjithatë është kënaqësi që ne po ruajmë dhe zhvillojmë marrëdhënie me shumë vende evropiane. Marrëdhëniet midis Hungarisë dhe Rusisë gjatë dekadave të fundit janë ndërtuar ekskluzivisht mbi bazën e marrjes interesave të njëri-tjetrit, duke u mbështetur në të gjitha gjërat pozitive që kemi trashëguar nga e kaluara. Kjo vlen për një numër të konsiderueshëm fushash dhe mbi të gjitha për ekonominë”, citohet të ketë thënë presidenti rus.
Orban njihet për qëndrimet e tij proruse dhe proserbe. Së fundi ai doli hapur kundër vendosjes së sanksioneve Serbisë pas sulmit terrorist në Banjskë të Zveçanit, duke e quajtur qesharake kërkesën e Kosovës ndaj BE-së. Madje Orban e arsyetoi sulmin duke e cilësuar përgjigje të serbëve ndaj politikave, siç ka thënë ai, provokuese në dy vitet të fundit të Kosovës ndaj këtij komuniteti në Kosovë.
Në samitin me titull “Brezi dhe Rruga për Bashkëpunim Ndërkombëtar”, ka marrë pjesë edhe shefi i BE-së për Politikë të Jashtme dhe të Sigurisë, Joseph Borrell.
Ndryshe prej Vuçiqit, ai ka folur për raportet e acaruara me Kinën, kryesisht për shkak të disbalancit tregtar që ka BE-ja me shtetin aziatik. Duke iu referuar zhvillimeve gjeopolitike, Serwer thotë se Kina megjithatë është një vend i rëndësishëm.
“Kjo nuk është shkencë raketore. Kina është një vend i rëndësishëm. Nuk është për t'u habitur që udhëheqësit pranojnë një ftesë prej saj. Për Rusinë, është jetike të mbajë gatishmërinë kineze për të duruar agresionin e saj kundër Ukrainës. Për Borrell-in, çekuilibri tregtar është vërtet i rëndësishëm në Evropë”, ka potencuar Serwer.
Në samitin e organizuar nga presidenti kinez mori pjesë edhe Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Gutierrez.