Arbëri

Vuçiqi krahason takimin e tij me Ramën me atë të Titos me Enver Hoxhën

Presidenti serb, Aleksandart Vuçiq, ka kujtuar takimin e Josip Broz Titos me Enver Hoxhën, duke e krahasuar me atë të tijin me kryeministrin e Shqipërisë, Edi Ramën, 70 vjet më pas.

Në samitin për “Ballkanin e Hapur” në Beograd, Vuçiq tha se takimet me Ramën i ka shumë miqësore.

“Marrëdhëniet tona në Ballkanin Perëndimor midis tri vendeve tona janë në maksimumin e tyre historik. Kur ta kujtoj takimin tonë të parë, 70 vite prej se Tito dhe Enver Hoxha ishin takuar për herë të fundit, takimi im me Ramën ishte i mbushur me energji të jashtëzakonshme politike dhe diplomatike".

Ndërsa, Rama në fjalën e tij tha se po dëgjon “një gjuhë të çuditshme” në këtë samit, kurse paralajmëroi për kujdes kur në prani janë diplomatë të huaj që mund ta kuptojnë këtë gjuhë.

“Jam shumë i lumtur ta shoh përballë ambasadorin Christopher Hill i cili si të gjithë amerikanët e suksesshëm që vijnë në këtë rajon di edhe gjuhën e tij edhe gjuhën tonë. Prandaj kur flisni në prani të tyre, bëni kujdes se na kuptojnë jo vetëm anglisht por edhe ku flasim në gjuhën tonë”.