Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, i ka shprehur mirënjohjen homologut kinez Xi Jinping për qëndrimet e Kinës karshi Kosovës.
Xi Jinping po qëndron në Serbi nga mbrëmja e djeshme. Do të jetë në Beograd edhe sot, para se të shkojë në Hungari, ku do ta përmbyllë ciklin e vizitave në Evropë. Para Serbisë, Xi Jinping vizitoi Francën.
Gjatë konferencës për media, Vuçiqi ka thënë se është mirënjohës ndaj presidentit Xi “për pozicionin e qartë karshi çështjes së Kosovës, që e konsideron si pjesë të Serbisë”.
“Por, citoj presidentin Xi - Republika e Serbisë do ta ketë mbështetjen e fortë të Republikës Popullore të Kinës për të gjitha çështjet që ngrihen në kuadër të Kombeve të Bashkuara. Kjo është jashtëzakonisht e rëndësishme për ne dhe për këtë e falënderoj pafund Republikën Popullore të Kinës”, ka thënë Vuçiq.
Ndër të tjera, Vuçiqi ka theksuar se do të përmirësojnë lidhjet me Kinën, “si partneri ekonomik më i madh”.
Edhe
Serbia pret ndihmë nga Kina për Kosovën
Vuçiqi dhe Xi Jinping kanë nënshkruar deklaratë të përbashkët, “që do të thotë se Serbia dhe Kina po kalojnë nga marrëdhëniet strategjike në bashkëpunimin më cilësor - një komunitet që flet për të ardhmen e përbashkët të dy vendeve tona”.
Xi zotohet ta forcojë aleancën e Kinës me Serbinë
Presidenti i Kinës, Xi Jinping dhe homologu i tij serb, Aleksandër Vuçiq, ishin prezent të mërkurën gjatë nënshkrimit në Beograd të një serie bashkëpunimet ndërmjet dy shteteve.
Marrëveshjet përfshijnë importimin e më shumë produkteve agrokulturore nga Serbia dhe ftesa për 300 studentë serbë që të studiojnë në Kinë, raporton AP.
Dy shtetet janë pajtuar po ashtu që të përparojnë ndërtimin e “një komuniteti me të ardhme të përbashkët”, duke e bërë shtetin ballkanik të parin në Evropë që arrin marrëveshje të tilla me Pekinin.
“Të dyja palët do të mbështesin me vendosmëri interesat thelbësore dhe shqetësimet kryesore të njëra-tjetrës dhe do të çimentojnë themelin politik për ndërtimin e komunitetit me një të ardhme të përbashkët”, ka thënë Xi në deklaratën e tij.
Edhe
Sfidon Perëndimin, Vuçiqi merr pjesë në paradën ushtarake në Kinë
Ai ka thënë se të dyja palët ranë dakord të kundërshtojnë hegjemonizmin dhe politikën e pushtetit së bashku.
“Miqësia Kinë-Serbi është krijuar përmes luftës sonë të jashtëzakonshme së bashku për të promovuar paqen dhe zhvillimin botëror dhe është krijuar me gjakun dhe jetën e dy popujve tanë”, ka shtuar Xi.