Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka thënë se ka marrë garanci nga Kina se Serbia mund të presë ndihmë të mëtejme dhe mbështetje në të gjitha çështjet, përfshirë Kosovën.
“Mund të presim në çështje të ndryshme politike, si Kosova, integriteti territorial e sovraniteti, siç e përkrahim ne parimin e një Kine dhe nuk do të dorëzohemi në këtë”, ka thënë Vuçiqi të premten pas një takimi që ka pasur me presidentin kinez, Xi Jinping në Pekin, transmetojnë mediat në
Vuçiqi po ashtu ka thënë se Serbia e konsideron Kinën mike të sinqertë dhe partnere të mirë në ekonomi dhe politikë.
Vuçiqi mori pjesë në paradën e ushtrisë kineze ditë më parë. Ai ishte në mesin e shumë liderëve autokratë në atë që po konsiderohet blloku antiperëndimor. Në krye të liderëve ishin presidenti kinez, ai rus e ai i Koresë së Veriut.
Vuçiqi ka thënë se Kina është dëshmi se si bota po ndryshon shpejt e madje sipas tij, ndryshimet do të vërehen edhe në Ballkanin Perëndimor. “Kina po përparon me shpejtësi marramendëse. Me ndikimin e saj, Kina po zë hapësirë shumë më të rëndësishme në politikat botërore... Nuk është e lehtë për ata që po përpiqen ta ndalin”, ka thënë Vuçiqi.
Ai ka thënë se “gjërat do të ndryshojnë edhe në Ballkanin Perëndimor në të ardhmen”. “Shpresoj, edhe pse s’është e sigurt, por do të ketë ndryshime në botë... në 10 vjet ne nuk do të jemi në gjendje të kujtojmë se si ka qenë para dhjetë vjetësh. Dhe këto ndryshime po bëhen tejet më të shpejta tani”, ka shtuar ai.
Kur Vuçiqi përmend “Kinën si të tërë” bëhet fjalë për çështjen e Tajvanit. Tajvani është shtet, por i panjohur ndërkombëtarisht dhe nuk është pjesë e Organizatës së Kombeve të Bashkuara. E Kina e konsideron Tajvanin si pjesë të saj. Shtetet e Bashkuara janë mbrojtësi kryesor i Tajvanit dhe kjo konsiderohet ndarja kryesore në raportet Kinë-SHBA. Kina e ka shtrembëruar Rezolutën 2758 të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së. Ajo lidhet në mënyrë të rreme me “parimin e një Kine” dhe përdoret si mjet për ta penguar Tajvanin në OKB. Megjithatë, kjo rezolutë nuk e përmend fare Tajvanin dhe nuk thotë se ai është pjesë e Kinës.
E siç ka shkruar mediumi serb “Danas” të premten, ekspertë në Serbi kanë thënë se Kina mund ta ndihmojë Serbinë në çështjen e Kosovës pikërisht vetëm me veto në Këshillin e Sigurimit në OKB.