Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka zhvilluar bisedë telefonike me presidentin e Venezuelës, Nicolas Maduro, ndërsa e ka falënderuar atë që shteti i tij nuk e ka njohur Kosovën.
Vuçiq ka njoftuar për bisedën nëpërmjet një postimi në Instagram.
“Serbia e vlerëson mbështetjen parimore dhe të vazhdueshme të Venezuelës kur bëhet fjalë për ruajtjen e integritetit tonë territorial dhe mosnjohjen e pavarësisë së Kosovës të shpallur njëanshëm”, ka shkruar Vuçiq.
Në postim ai tha se ka diskutuar me Maduron për mundësitë e përmirësimit të marrëdhënieve në të gjitha fushat me potencial.
“Jam i bindur se në vitet që vijnë do të vazhdojmë ta kultivojmë këtë miqësi të çmuar, të ndërtojmë ura bashkëpunimi dhe solidariteti dhe të kontribuojmë për një të ardhme më të mirë dhe më të lidhur për popujt tanë”, ka shkruar Vuçiq.
Shtetet e Bashkuara të Amerikës së fundi kanë rritur në 50 milionë dollarë shpërblimin për arrestimin e Nicolas Maduros, duke e akuzuar atë si një nga narkotrafikantët më të mëdhenj në botë.
Më herët shpërblimi i SHBA-së për kapjen e Maduros ishte 25 milionë dollarë.
Tri anije luftarake amerikanë janë nisur drejt ujërave afër Venezuelës, ndërsa Maduro ka paralajmëruar se do të vë në gatishmëri rreth 4.5 milionë anëtarë të milicisë si reagim ndaj kërcënimit amerikan.