Zgjidhja për Kosovën nuk është e mundshme pa Rusinë, ka deklaruar presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, mbrëmë pas takimit me presidentin rus, Vladimir Putin në Moskë.
“Pa Rusinë, pa pajtimin e Moskës, është e pamundshme, që është shumë me rëndësi dhe i kam thënë edhe Putinit që të marrë ndonjë zgjidhje”, tha Vuçiq.
Sipas fjalëve të tij, siç bëjnë të ditur mediat serbe, Rusia do t’i përcjellë me kujdes përmbajtjet e bisedimeve me Kosovën dhe do të reagojë me kohë dhe në mënyrë të duhur, por nuk do të përfshihet direkt në bisedime, sepse, siç thotë Vuçiqi, ato zhvillohen nën mbikëqyrjen e BE-së.
“Por, do të marrë pjesë në mënyrë shumë aktive dhe thelbësore në përcjelljen e procesit të tërë dhe raporteve mes Beogradit e Prishtinës. Veçanërisht ndikimin e faktorit ndërkombëtar në këtë çështje”, tha Vuçiq para gazetarëve, transmeton Koha.net.
“Më duket se asnjëherë më parë s’kemi biseduar më gjatë për raportet mes Beogradit e Prishtinës dhe për raportet përbrenda bashkësisë ndërkombëtare. Qëndrimet tona përputhen në shumë aspekte”, shtoi ai.
Vuçiqi tha të ketë përsëritur disa herë se Serbia është e gatshme për kompromis me shqiptarët e Kosovës “por nuk është e as që do të jetë asnjëherë e gatshme të pranojë shkatërrimin dhe rrënimin e plotë të së drejtës ndërkombëtare”.