Ndonëse afati optimal i vjeljes së rrushit ka mbaruar prej kohësh, ende në vreshta të Rahovecit ka rrush të pavjelë, ka thënë për KOHËN, Hamid Makshana nga shoqata e vreshtarëve "Vreshtari". Sipas Makshanës, në Komunën e Rahovecit janë vjelë rreth 80 për qind e sipërfaqeve me rrush, por ka mbetur edhe rreth 20 për qind pa u vjelë.
"Janë rreth 20 për qind e sipërfaqeve të pavjela, pasi vreshtarët nuk po kanë treg. Në këtë kohë rrushi i pavjelë kalbet dhe shkojnë poshtë puna dhe mundi i vreshtarëve", ka theksuar Makshana.
Afati optimal i vjeljes së rrushit, sipas Makshanës, është nga 7 shtatori deri më 7 tetor, ndërkohë që varësisht nga kushtet atmosferike, ky afat mund të lëvizë në një masë të vogël.
"Stone castle", kompania më e madhe në Rahovec, sipas Makshanës sivjet nuk ka pranuar rrush nga sektori privat, ndërsa bodrumet e tjera, sipas tij, kanë pranuar rrush, por me çmime të ulëta.
Makshana ka thënë se rrushi i sivjetmë ka qenë fenomenal për nga cilësia.
Personalisht ai ka treguar se sivjet ka dorëzuar nga vreshtat e tij 10 mijë kilogramë rrush në Bodrumin e Vjetër me çmime nga 24 centë deri në 36 centë, ndërkaq 17 mijë kilogramë i ka shitur në tregje të ndryshme nëpër Kosovë me çmime të ndryshme.
Edhe
Fermeri 62-vjeçar vjel rreth 80 tonë rrush
Vreshtari Ali Morina nga Vrajaka e Rahovecit ka treguar për KOHËN se një pjesë e rrushit i ka ngelur në vreshta, pasi nuk ka ku ta plasojë në treg. Ai ka dorëzuar një pjesë të rrushit në bodrume në Rahovec, ndërkaq një pjesë ka treguar se ka arritur ta plasojë në Shqipëri, prej nga kanë ardhur dhe e kanë marrë në Rahovec, por me çmime afërsisht të ngjashme me bodrumet e Rahovecit.
Morina ka kujtuar se para disa vitesh, kur vreshtarëve të Rahovecit iu kishte mbetur një sasi rrushi nëpër hardhi, Qeveria e Kosovës pasi kishte kërkuar evidencë i kishte kompensuar. Ai thotë se vreshtarët do të mobilizohen edhe sivjet për të regjistruar sasinë e rrushit të mbetur pa u vjelë, me shpresën se do të kompensohen nga shteti.
Fidan Haxhijaha nga Bodrumi i Vjetër në Rahovec ka deklaruar për KOHËN të premten se kompania e tij ka marrë sasi të madhe të rrushit nga vreshtarët e Rahovecit dhe ka thënë se rrushi ka qenë i një cilësie të lartë këtë vit. Ai ka shprehur keqardhje për vreshtarët që u ka mbetur rrushi në vreshta, por ka thënë se Bodrumi i Vjetër nuk ka më shumë kapacitete pranimi. KOHA ka kontaktuar të premten përmes telefonit me dy zyrtarë të kompanisë “Stone Castle” për të parë nëse ata nuk kanë pranuar rrush nga vreshtarët e Rahovecit gjatë këtij viti, siç kanë thënë vreshtarët, por ata nuk kanë pranuar të prononcohen, me arsyetimin se nuk janë kompetent.