Vreshtarët e Rahovecit kanë rënë në hall me plasimin e produktit të tyre në treg. Avni Haxhimurati nga kjo komunë, që posedon afro katër hektarë vreshta, ka thënë se ka vjelë dhe ka shitur një sasi rrushi të tryezës, ndërkaq rrushi i verës ka filluar të teret, të humbë lëngun dhe peshën, ndërkohë që s’po ka zgjidhje tjera për dalje në treg.
“Sa më shumë që vonohet vjelja rrushi humb në peshë dhe ne dëmtohemi. S’kam ku ta dorëzoj, bodrumet një herë po e zgjedhin rrushin, jashtë Kosovës nuk ka shanse me dalë, më herët vinin disa nga Shqipëria merrnin me shumicë, tani nuk po vijnë, se di a i kanë ndalë a çka u bë”, ka numëruar ai problemet një bisedë me KOHËN.
Ai ka njoftuar se ka shitur deri tash një sasi rrushi të tryezës në tregun e Prishtinës, por tregjet e tilla nuk janë zgjidhje për vreshtarët me sasi të madhe rrushi. Ai i ka quajtur katastrofale çmimet e rrushit nëpër bodrume. “Merreni me mend një kilogram rrush ta marrin me 26 centë.”
Haxhimurati është ankuar edhe me vështirësitë në aplikim për subvencione.
Ndërkaq, Hamid Makshana nga shoqata “Vreshtari”, ka theksuar se ka pasur ulje të vlerës së subvencioneve nga Ministria e Bujqësisë. Sipas tij, ulja është për mbi një milion euro në krahasim me vitet paraprake.
Makshana ka thënë se karburantet, preparatet e plehrat kimike janë shtrenjtuar për rreth 30 për qind, ndërkohë që çmimi i rrushit nuk ka pësuar rritje, por ka tendencë të uljes.
“Jam kah shes rrush privatisht nëpër tregje, pak e dorëzoj në bodrume. Jashtë problem me dalë, nuk lejon burokracia e tregut, 4 mijë kilogramë rrush nëse i nxjerrë jashtë, pothuaj aq sa fitoj, m’i merr dogana”, është shprehur ai.
Sipas Makshanës, bodrumet në Rahovec e marrin rrushin me çmime tejet të ulëta.
“Çmimi më i lartë është 36 centë, ka mandej deri në 18 centë, e krejt në fund edhe me 11 centë”, ka deklaruar ai.
Megjithatë Fidan Haxhijaha nga Bodrumi i Vjetër, i cili ka filluar të pranojë rrushin nga vreshtarët, ka thënë për KOHËN se çmimet nuk shkojnë më poshtë se 23 centë, e shkojnë më lartë, në 36, e deri në 40 centë për kilogram.
Ai është shprehur ka bërë përpjekje të mëdha që të mos i zbresë çmimet të cilat ishin ngritur në vitet e mëhershme. Haxhijaha ka thënë se kontratat me vreshtarët ishin bërë qysh në mars dhe se kompania e tij po i përmbushë të gjitha obligimet.