Arbëri

Vreshtarët kundërshtojnë uljen e subvencioneve nga 1000 në 400 euro

Sipas Udhëzimit të ri Administrativ, të nënshkruar para pak ditësh nga Faton Peci, ministër i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, parashihet që sipërfaqet e vreshtave me mbi 100 hektarë të subvencionohen me 400 euro për hektar, nga 1000 sa ishte deri më tash. Ndërkohë, subvencionet për sipërfaqet nën 100 hektarë mbesin të njëjta – 1000 euro për hektar. Si pasojë e këtij vendimi ka reaguar shoqata “Vreshtari”, e cila klasifikimin e sipërfaqeve të mbjella e ka quajtur të dëmshëm për këtë sektor. Por telashet e vreshtarëve nuk lidhen vetëm me subvencionet

Ulja e subvencioneve për sipërfaqet e vreshtave me mbi 100 hektarë e ka revoltuar Shoqatën e Vreshtarëve.
Sipas udhëzimit të ri administrativ, të nënshkruar para pak ditësh nga Faton Peci, ministër i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, parashihet që sipërfaqet e vreshtave me mbi 100 hektarë të subvencionohen me 400 euro për hektar, nga 1000 sa ishte deri më tash.

Ndërkohë, subvencionet për sipërfaqet nën 100 hektarë mbetën të njëjta – 1000 euro për hektar.

Si pasojë e këtij vendimi ka reaguar shoqata “Vreshtari”, e cila klasifikimin e sipërfaqeve të mbjella e ka quajtur të dëmshëm për këtë sektor.

Hamid Makshana, kryetar i kësaj shoqate, ka thënë se në takimin me ministrin e Bujqësisë, Faton Peci, u është premtuar që subvencionet për vreshta nuk do të ulen.
“Kërkesat tona konkrete janë që të mos preket çmimi nga 1 mijë euro që është caktuar më herët, vetëm kjo kërkesë për neve është e paprekshme, kjo kërkesë nuk bën të preket hiç, do të thotë 1 mijë euro për hektar, pa marrë parasysh a i ka vreshtari 10 ha, 20 ha, 100 ha, apo 1000 ha. Qeveria e Kosovës, Ministria e Bujqësisë dhe drejtoritë komunale duhet të mendojnë ta ruajnë këtë kulturë pasi është mijëvjeçare. Konkretisht, Komuna e Rahovecit jeton me këtë kulturë, burim kryesor e ka hardhinë e rrushit”, ka deklaruar Makshana.
Të papranueshëm vendimin e ka quajtur edhe Nebi Duraj, udhëheqës i një kompanie të vreshtarisë në Komunën e Rahovecit.

Ai ka thënë se pandemia COVID-19 i ka dëmtuar tej mase ata dhe tash me vendimin për uljen e subvencioneve pasojat do të jenë edhe më të theksuara për kompanitë e mëdha.

“Ne kemi thënë që gjatë periudhës 2018-2020 subvencionet kanë qenë 1 mijë euro për hektar, si i pate 1 hektar si i pate 100, kostoja e mirëmbajtjes është e njëjtë 2500 euro për hektar ose deri 3 mijë euro në raste. Çdo ditë po rritet kostoja e shtyllës, e telit, e pesticideve dhe të tjera. Në kushte pandemie, me marrë këso vendimesh është skandaloze, vetëm te ministri jonë i Bujqësisë ka ndodh, ky është një veprim skandaloz, i pamatshëm. Ky vendim është i pakonsultuar me ekspertët e fushës, të cilët tërë ditën e kalojnë në vreshta”, ka deklaruar Duraj.

E Avdullah Kërçagu, vreshtar nga Rahoveci, thotë se ai dhe të tjerët përballen edhe me telashe të tjera – nuk kanë ku ta dorëzojnë rrushin.

Ai ka akuzuar kompanitë e mëdha, duke thënë se po bashkëpunojnë mes vete për të caktuar çmimin, që bie ndesh edhe me ligjet në fuqi për konkurrencën.

“Problemi kryesor është shitja apo dorëzimi nëpër bodrumet e Rahovecit që i kemi, ende nuk kemi lidhë kontratat me asnjë bodrum. Po presim nga Ministria të na ndihmojë se nuk kemi rrugëdalje askund, rrushi përndryshe do të mbesë nëpër vreshta ose nëpër duar të tregtarëve ndër çmimin që ka. 18 cent/kg e kemi shitur rrushin vjet”, ka thënë Kërcagu.
Ai ka shtuar se për shkak të çmimeve të paarsyeshme po detyrohet që rrushin ta shesë në Shqipëri, si dhe te serbët lokalë.

Berat Duraku, drejtor i Bujqësisë në Komunën e Rahovecit, ka thënë se çështja e tregut nuk është në kompetencë të Komunës.
“Çështjet e tregut janë politika makro dhe janë në kuadër të Qeverisë së Kosovës, konkretisht të Ministrisë së Bujqësisë e Ministrisë së Tregtisë. Ne si komunë nuk kemi mundësi të ndikojmë te pranimi i rrushit, por ne jemi vazhdimisht në komunikim me bodrumet përpunuese të rrushit këtu në qytet. Kemi komunikim dhe i kemi lutur të kenë mirëkuptim dhe kemi kërkuar që të pranojnë rrush edhe këtë vit me çmime të arsyeshme, që i përcakton edhe oferta me kërkesën në treg”, ka thënë Duraku.

KOHA i ka dërguar pyetje Ministrisë së Bujqësisë për këto çështje, por nuk ka marrë përgjigje.