Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Vonohet transferi nga Qeveria – mungon bari i 1500 eurove për të sëmurët me kancer

Foto: Koha

Një citostatik, ilaç shumë i rëndësishëm për trajtimin e kancerit të gjirit, është duke munguar për më shumë se 2 javë në Klinikën e Onkologjisë, e jashtë saj, shitet rreth 1450 euro, çmim ky i papërballueshëm për pacientë. Mungesa të tilla kanë ndodhur për shkak të vonesës së transferit të buxhetit nga Qeveria në SHSKUK. Qeveria e Kosovës ka kërkuar nga televizioni që të kontaktohet Ministria e Shëndetësisë e SHSKUK-ja ka pranuar që mungesa e furnizimit me citostatikë lidhet me vonesat e këtij transferi

Për më shumë se dy javë, pacientët me kancer të gjirit në Klinikën e Onkologjisë janë në hall të mungesës së disa nga barnave.

Lloji i citostatikut Pertuzumab, të cilin e përdorin këto paciente, nuk gjendet brenda klinikës. Prandaj, ato detyrohen ta kërkojnë jashtë saj, e për çmimin thonë të jetë i papërballueshëm.

Pacientet prapa kamerës thanë se për më shumë se dy javë kanë mungesë të këtij bari.

Ato treguan se në një barnatore jashtë spitali, ky citostatik gjendet me çmim 1450 euro.

Siç ka mësuar KOHA, janë dy arsye pse pacientet e sëmura me kancer kanë mbetur pa terapi. Njëra nga arsyet është vonesa e alokimit të buxhetit nga Ministria e Financave në SHSKUK. Alokimi i buxhetit i paraparë për dhjetor, është bërë tek në fund të javës së shkuar.

Edhe Pacientët me kancer metastatik pa terapi prej tre muajsh, SHSKUK-ja hesht Arbëri Pacientët me kancer metastatik pa terapi prej tre muajsh, SHSKUK-ja hesht

KOHA e ka pyetur Qeverinë e Kosovës për këtë vonesë, por zëdhënësi Përparim Kryeziu ka kërkuar që për këtë çështje të kontaktohet Ministria e Shëndetësisë, ani pse ka disa vjet që kontraktimet e barnave i takojnë SHSKUK-së.

Se ka pasur vonesa në alokimin e buxhetit për barna nga ana e Qeverisë, e kanë konfirmuar përmes një përgjigjeje me shkrim Zyra e Informimit në SHKSUK.

“Për shkak të vonesave në alokimin e buxhetit për furnizim me barna nga Lista Esenciale, për disa barna të caktuara citostatike, ka pasur mungesa në fillim të vitit 2022”, thuhet në përgjigjen e SHSKUK-së.

KOHA ka marrë vesh që buxheti nga ana e Qeverisë është alokuar javën e kaluar, por bari Pertuzumab ende mungon në klinikë.

Një gjë e tillë ka ndodhur, për shkak që kontrata për blerjen e këtij bari ka skaduar në fillim të janarit, ndërsa kontrata e re është nënshkruar disa javë më herët, por kompania fituese nuk e ka sjellë ende në QKUK.

Edhe Pacientët me kancer metastatik të gjirit tash e dy muaj pa terapi Arbëri Pacientët me kancer metastatik të gjirit tash e dy muaj pa terapi

“Gjatë kësaj periudhe, janë realizuar liferime të konsiderueshme të barnave citostatike. Gjithashtu, jemi në pritje të liferimeve të tjera ditëve në vijim”, ka thënë SHSKUK-ja.

Nuk është hera e parë që pacientët e sëmurë me kancer mbesin pa terapi për shkak të vonesave procedurale. Vitin e kaluar mungesat në klinikën ku trajtohen këta pacientë kishin arritur deri në 70 për qind. Barnat për trajtimin e kancerit konsiderohen në mesin e produkteve me çmimet më të larta.