Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen gjatë vizitës në Mal të Zi në një takim me presidentin, Jakov Millatoviq tha se zgjerimi i BE-së është në krye të prioriteteve të Komisionit Evropian.
“Unë e di se sa të përkushtuar janë qytetarët e Malit të Zi për t'u bashkuar me BE-në. Ne jemi të lumtur të ndihmojmë që kjo të ndodhë”, tha ajo, shkruan Vijesti.me.
Ajo theksoi se Mali i Zi ka qenë prej kohësh vendi që ka bërë shumë përparim në rrugën e tij drejt BE-së.
“Më vjen mirë që jeni të vendosur ta ruani atë pozicion”, theksoi ajo.
Von der Leyen tha se Mali i Zi tani duhet të fokusohet plotësisht në procesin e pranimit në BE.
"Ne duhet ta përfundojmë atë proces së bashku. Mezi pres të takoj kryeministrin e ri pas kësaj konference”, shtoi ajo.
Kryetarja e KE-së tha se me Millatoviqin ka folur edhe për nevojën e “përafrimit të ekonomive tona”. Ajo vuri në dukje se Mali i Zi ka potencialin të jetë një furnizues kryesor i energjisë elektrike në rajon.
“Perspektiva e anëtarësimit të plotë të Malit të Zi në Bashkimin Evropian edhe para vitit 2030 është mjaft realiste dhe e mundshme”, tha presidenti, Jakov Milatoviq.
Millatoviq pas bisedës me von der Leyen deklaroi se më në fund Ballkani Perëndimor është në krye të agjendës së Bashkimit Evropian “pas shumë vitesh pasiviteti”, dhe kjo sipas tij po ndodh për shkak të angazhimit të presidentes së Komisionit Evropian.
“Vizita e sotme dhe seria e mesazheve inkurajuese të dërguara nga presidentja von der Leyen, na bëjnë të kuptojmë një përkushtim të sinqertë për rigjallërimin e procesit të zgjerimit”, tha Milatoviq.
Ai tha se beson se anëtarësimi i Malit të Zi në BE do të ishte një mesazh i madh për të gjitha vendet kandidate se procesi i zgjerimit është i gjallë.
Millatoviq tha se me von der Leyen ka biseduar edhe për rëndësinë e rivitalizimit të procesit të Berlinit, i cili sipas tij, është jashtëzakonisht i rëndësishëm për Malin e Zi.
Ai tha se beson se Kuvendi dhe Qeveria e formuar sot në mëngjes do ta njohin rëndësinë e momentit politik kur është fjala për perspektivën evropiane të Malit të Zi.