Arbëri

Vlerësohet se ndërmarrjeve publike në Kosovë u mungon ristrukturimi

Ish-udhëheqësi i Njësisë për Monitorim të Ndërmarrjeve Publike, Besim Imeri, ka thënë se ndërmarrjet publike kanë funksionuar për të legjitimuar kandidatë apo pushtete të caktuara.

Imeri ka thënë të enjten në “Desku” të KTV-së se ndërmarrjet publike kanë qenë të instrumentalizuara për një kohë të gjatë.

“Ndërmarrjet publike më herët për atë punë kanë funksionuar. Ndërmarrjet publike kanë funksionuar për t’i legjitimuar një kandidat ose një pjesë të pushtetit, janë instrumentalizuar për një kohë të gjatë. Kjo ka qenë më herët por ekziston rreziku që prapë të ndodhë në qoftë se nuk ristrukturohen ato”, ka thënë Imeri.

Ai po ashtu ka folur edhe ristrukturimin e ndërmarrjeve publike, duke thënë se ky proces ka ngecur.

Duke folur për ndërmarrjen publike “Korporata Energjetike e Kosovës – KEK”, Imeri ka thënë se kjo ndërmarrje vuan nga mungesa e punëtorëve, derisa sipas tij, ka vite që KEK-u nuk ka pasur konkurse për vende të punës.

“KEK-u dhe Trepça kanë mungesë të punëtorëve, por në njërën anë Trepça ka tepricë të punëtorëve në sektorë të tjerë. Shpenzimet e rrogave në KEK nuk po zvogëlohen edhe pse po zvogëlohen punëtorët. Janë rritur rrogat për staf të caktuar brenda KEK-ut. Ka pasur një rritje të jashtëzakonshme të pagave. Ka pasur një inkurajim të menaxhmentit që të mos marrin punëtorë. Në KEK me vite s’ka pasur konkurse të punës edhe pse ka nevojë për punëtorë. Shumica e njerëzve që e kanë lëshuar punën është për shkak të pensionimit”, ka thënë Imeri.

Ndërkaq, Teuta Ukshini- Aliu, kryesuese e Bordit të KRU “Prishtina”, ka thënë se bordi aktual ka për qëllim që të bëjë ristrukturimin të strukturës organizative gjatë muajit dhjetor.

“KRU Prishtina ashtu si të gjitha ndërmarrjet publike ka numër të tepër në administratë, aty ku nuk do të duhej dhe numër të paktë të punëtorëve profesionistë që duhet të jenë në terren. Ne e kemi parë nevojën që të bëjmë ristrukturim. Ne si bord kemi synim që gjatë dhjetorit të këtij viti të bëjmë edhe një ristrukturim të strukturës organizatave, ne synojmë që të nivelizojmë nivelin e punëtorëve që të mos ketë diskrepanca”, ka thënë Ukshini-Aliu.