Grupi KOHA do të privohet nga sigurimi i informatave nga Komuna e Prishtinës, meqë zyrtarë të saj janë përcaktuar që të mos ofrojnë përgjigje për gazetarët e tij. Ky përcaktim i Komunës nga Agjencia për Informim dhe Privatësi është vlerësuar linçues, e nga KOHA, si mohim i së drejtës së qytetarëve për të qenë të informuar për punën e këtij institucioni, të garantuar me Kushtetutë, ligje të Kosovës e me konventa ndërkombëtare
Hulumtimet e KOHËS për parregullsi dhe keqpërdorime në Komunën e Prishtinës janë bërë shkas që ky institucion komunal të përcaktohet për të mos iu përgjigjur pyetjeve që i adresojnë gazetarët e këtij mediumi.
Në mesin e hulumtimeve të fundit që KOHA i ka bërë për Komunën e Prishtinës janë ai për këmbimin e pronave komunale te Prishtina e Re me ato private në Badoc, e që u përkasin ish-klientëve të kryetarit Rama, dallaveret me kontratën 12-milionëshe për arkitektin e qytetit, shpërfillja e vendimeve të Gjykatës Komerciale, e cila anuloi vendimet për mbylljen e rrugëve “Rexhep Luci” dhe Qamil Hoxha”, e ndarja e subvencioneve mijëraeuroshe pa shpallje publike.
Këto dhe të tjera raportime janë cilësuar nga Komuna e Prishtinës si “tendencioze dhe të pasakta”.
“Më vjen keq, por nuk mund të përgjigjemi për KTV-në për momentin, për shkak të raportimeve të shumta tendencioze dhe të pasakta që janë bërë më parë e që vazhdojnë të ndodhin, pavarësisht transparencës dhe bashkëpunimit që kemi ofruar vazhdimisht”, thuhet në përgjigjen e zyrtares për informim në këtë Komunë, Arlinda Kastrati, pas një sërë pyetjesh që i janë drejtuar kësaj zyre nga KOHA lidhur me hapësirën e Tulltores që i është dhënë në shfrytëzim privatit.
Këtë përgjigje e ka pranuar gazetarja e emisionit “038”, Meridiana Statovci, pas injorimit që i është bërë nga nënkryetari i Komunës, Alban Zogaj. Ai ka refuzuar të prononcohet rreth projektit për Tjegulloren e kryeqytetit, ndonëse paraprakisht kishte pohuar se do të fliste për të.
“Kryetari Rama ende nuk ka nisur me projektin, e që pati premtuar që do të bëjë një shtëpi të artit dhe kulturës, ku të rinjtë mund të argëtohen aty, por që tani ato hapësira janë liruar për një operator privat dhe që i njëjti po zhvillon veprimtari të lojërave për fëmijë, të cilat janë lojëra të shpejta. Para dy ditëve unë kam kërkuar një përgjigje për këtë gjë dhe gjithë projektin e Tjegullores nga nënkryetari i Prishtinës, zoti Alban Zogaj. Pasi që na pranoi, ne shkuam në Komunë, kemi pritur 30 apo 40 minuta dhe ai nuk doli për të dhënë një prononcim. Me t’u kthyer këtu në redaksi, unë kam dërguar pyetje te Zyra e Mediave të Komunës së Prishtinës, e që zyrtarja Arlinda Kastrati më ka kthyer përgjigje, që tani më nuk po pranojnë të prononcohen për KTV-në”, ka thënë Statovci.
Statovci tregon se sjellje të ngjashme ka demonstruar edhe kryetari Përparim Rama, i cili gjatë një ngjarjeje nuk e ka lejuar ekipin e KOHËS të shtrojë pyetje.
Përcaktimin e Komunës së Prishtinës për të mos u përgjigjur në pyetjet e KTV-së, KOHA e ka vlerësuar si shkelje të së drejtës së qytetarëve për t’u informuar.
KOHA: Komuna u takon qytetarëve dhe ata duhet të informohen
Për shkak të raportimeve të KOHA-s, Komuna e Prishtinës është përcaktuar që të mos u përgjigjet pyetjeve që i adreson KTV-ja. Këtë, më 10 dhjetor, ia ka shkruar gazetares së KTV-së zyrtarja për informim e Komunës, me pretendimin se raportimet janë “tendencioze dhe të pasakta”.
Me këtë veprim Komuna e Prishtinës ka shkelur të drejtën e qytetarëve për të qenë të informuar për punën e këtij institucioni, e drejtë kjo e garantuar me Kushtetutë, ligje të Kosovës e me konventa ndërkombëtare.
KOHA në vazhdimësi ka raportuar edhe për Komunën e Prishtinës, në mesin e institucioneve të tjera qendrore e lokale, duke zbardhur parregullsi e duke mbajtur përgjegjës udhëheqësit e zyrtarët e tjerë institucionalë.
Komuna e Prishtinës ka në dispozicion trupat rregullues e vetë-rregullues të mediave në Kosovë, KPM e KMSHK, si dhe gjykatën për t’u ankuar nëse konsideron që janë bërë shkelje në raportimet e KOHËS. Këtë nuk e ka bërë. Asnjë zyrtar në Komunën e Prishtinës nuk ka të drejtë të vendosë të mos japë informacione që lidhen me punën e këtij institucioni e që janë në interes të publikut për t’i ditur. Komuna nuk u takon individëve që punojnë aty por qytetarëve të kryeqytetit.
KOHA do të ndjekë rrugën ligjore për të siguruar të dhënat që zyrtarët e komunës refuzojnë t’i ndajnë (kësaj radhe për temën rreth “Tullores”) si dhe për të siguruar informata zyrtare rreth përcaktimit të paligjshëm të komunës në raport me KTV.
Në Komunë të Prishtinës nuk janë përgjigjur as në pyetjet se cilat janë hulumtimet e publikuara, përmbajtja e të cilave është kontestuar, dhe nuk kanë treguar as arsyen pse nuk u janë drejtuar organeve kompetente.
Në Agjencinë për Informim dhe Privatësi e kanë vlerësuar linçues këtë veprim.
Komisionerja Krenare Sogojeva-Dërmaku tha se institucionet publike e kanë për obligim llogaridhënien.
“Llogaridhënia dhe transparenca janë shtylla të demokracisë dhe si të tilla ato duhet të respektohen. Normalisht linçime të tilla nuk do të prodhonin efekte pozitive për shoqërinë tonë në përgjithësi, por edhe këto vlerësime që ne i kemi karshi obligimeve tona drejt rrugës për në Bashkimin Evropian. Është me rëndësi t’u bëhet thirrje institucioneve publike që qasje e tillë të mos praktikohet, ngase kjo thjesht do të na çojë në hapa mbrapa dhe mediet dihet që kanë rolin e vet informues. Institucionet publike e kanë për obligim llogaridhënien”, ka thënë Sogojeva-Dërmaku.
Një nga raportimet e fundit ka të bëjë edhe me vendimin e Komunës së Prishtinës për shpronësimin e disa parcelave në rrugën “Shahin Kolonja”, e që banorët kanë pretenduar se shpronësimi i tokës u bë pa miratim të tyre e me qëllim të ndërtimit të rrugës që çon te trualli i familjes së kryetarit të LDK-së, Lumir Abdixhiku. Lidhur me këtë çështje në Komunën e Prishtinës nuk kanë ofruar përgjigje as pas dy javësh kur janë dërguar pyetjet.
Përgjigjet kanë munguar edhe për shumicën e storieve të tjera. Për parregullsitë me kontratën 12-milionëshe për arkitektin e qytetit, Komuna u obligua t’ia ofrojë KOHËS dokumentet për këtë çështje tek pas dërgimit në Agjencinë për Informim.