Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Vitia: Së shpejti emërohen anëtarët e Bordit të SHSKUK-së

Edhe tri ditë bëhen një muaj prej kur Bordit të Shërbimit Spitalor Klinik Universitar të Kosovës, i ka skaduar mandati. Por, ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia thekson se procesi i emërimit të anëtarëve të këtij bordi është para përfundimit.

Megjithatë ky proces po kritikohet nga partitë opozitare, të cilat po konsiderojnë se procesi i përzgjedhjes së anëtarëve të bordit të SHSKUK-së, po ballafaqohet konflikt interesi.

Vitia deklaroi se njërin nga emrat e këtij bordi janë në pritje të përgjigjes nga Agjencia Kundër Korrupsion për të parë se a ka konflikt interesi apo jo.

Ai u shpreh po ashtu se në krye të këtij bordi janë propozuar njerëz profesionalë.

“Procesi është para përfundimit një nga anëtarët e bordit të cilin ne e kemi propozuar po presim nga institucionet relevante, konkretisht nga Agjencia Anti-Korrupsion nëse ka konflikt interesi apo jo dhe sapo të kthehet dhe këtë e kemi dërguar para një kohe dhe sapo të kthehet përgjigjet, menjëherë do të procedohet. Kanë pretenduar disa se mund të jetë konflikt interesi për shkak se është zyrtar i lartë dhe për të sqaruar çdo dilemë, ne kemi dërguar në AKK dhe po presim përgjigje. Janë zgjedhur emrat më profesionalë dhe mendoj se do ta prezantojnë më së miri dhe do të jenë në nivel të detyrës në një organ shumë të rëndësishëm siç është Bordi i SHSKUK-së“, u shpreh Vitia.

Edhe Bordi i ardhshëm i SHSKUK-së në pritje të opinionit të Agjencisë Kundërkorrupsion Arbëri Bordi i ardhshëm i SHSKUK-së në pritje të opinionit të Agjencisë Kundërkorrupsion

Ndërsa, anëtari i Komisionit për Shëndetësi nga radhët e PDK-së, Bekim Haxhiu u shpreh se procesi i përzgjedhjes së anëtarëve të Bordit të SHSKUK-së, po ballafaqohet me konflikt interesi, prandaj nevojiten edhe interpretime nga Agjencia Kundër Korrupsion.

Deputeti i PDK-së e konsideron papërgjegjësi totale mënyrën se si qeveria po e menaxhon sektorin e shëndetësisë.

“Po bëhen një muaj pa bord është e vërtet që MSH-ja ka propozuar emrat e saj për bord, por nuk janë miratuar nga Qeveria, ka konflikt interesi dhe konflikte të tjera të interesit, në mes të Ministrisë së Shëndetësisë dhe Qeverisë kryesisht po bëhet një luftë e grupeve të caktuara të interesit për ta marrë nën kontroll Bordin e SHSKUK-së dhe një papërgjegjësi totale, ndoshta dhe më mirë pa bord sesa me bord ku keqpërdoren pozitat të cilat i marrin për të udhëhequr. Kjo mënyrë e udhëheqjes së menaxhimit dhe kjo mënyrë e propozimit të anëtarëve të bordit po bëhet për grupe të caktuara të interesit dhe konflikti është mes grupeve të interesit dhe jo mes profesionistëve shëndetësorë për t’i zgjedhur aty. Prandaj janë këto probleme, janë propozuar emrat që duhet vlerësimi i tjetër kujt për t’u vendosur në pozita të caktuara. Sikur të ishin ekspertë të fushave të caktuara nuk do të kishte nevojë as për interpretim të Agjencisë Anti-Korrupsion”, tha ai.

Edhe deputeti i LDK-së, Armend Zemaj vlerëson se edhe ky proces po neglizhohet. Sipas tij, është luks i tepruar që institucionet shëndetësore të mbesin pa titullar.

Edhe Emërohet Bordi i ri i SHSKUK-së Arbëri Emërohet Bordi i ri i SHSKUK-së

“Të gjitha agjencitë, Bordi, SHSKUK-ja janë me ushtrues detyre dhe pa një përgjegjësi direkte qoftë të raportimit, marrjes së vendimeve, përmirësimit, avancimit çfarëdo problematike tjetër që ka shëndetësia përjashto pjesën politike të MSH-së. Mendoj se kjo është një neglizhencë e tepruar dhe është një luks i tepruar që institucionet kryesore shëndetësore të jenë pa titullar, ashtu siç ishte vitin e kaluar 80 ditë pa ministër ashtu po doket se është një avaz i njëjtë derisa të gjendet një riciklim i njëjtë i anëtarëve të bordit për shkak të interesave aty dhe është e vështirë të krijohet një situatë e re me njerëz të rinj që kanë elani dhe energji për ndryshime pozitive”, tha ai.

Bordit të Shërbimit Spitalor Klinik dhe Universitar i ka skaduar mandati më datë 27 mars 2023. Bordi i cili është emëruar më datën 27.03.2020, e të cilit tashmë i ka skaduar mandati, ka qenë me këtë përbërje: Aida Rexhepi, Agreta Gecaj-Gashi, Vjollca Kodolli, Xhevat Jakupi, Enver Gashi dhe një përfaqësues i MSH-së. /KSP