Ndonëse konkursi për drejtor të SHSKUK-së është shpallur e nga java e ardhshme nis rrjedhja e afatit për dorëzim të dokumenteve, ky proces mund të stopohet nëse Qeveria e Kosovës nuk e voton Bordin e ri të këtij institucioni. Ministri Vitia ka thënë se ky proces është vonuar, meqë janë në pritje të një opinioni nga Agjencia Kundër Korrupsion, për të parë nëse njëri kandidat i propozuar ka ose jo konflikt interesi për të mbajtur këtë pozitë
Qendra më e madhe spitalore publike në vend – Shërbimi Spitalor Klinik Universitar i Kosovës ka pothuajse 9 muaj që udhëhiqet me ushtrues detyre. Deri tani janë ndërruar dy sosh.
Prej javës së ardhshme kandidatët e interesuar për këtë pozitë kanë një javë afat që t’i dorëzojnë dokumentet.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoKriteret janë pothuajse të njëjta me ato të konkurseve të kaluara në këtë institucion. Kandidatët mund të jenë mjekë, ekonomistë ose juristë.
Megjithatë, zgjedhja e drejtorit do të varet nga Bordi i SHSKUK-së. E ky bord ka rreth një muaj që është jofunksional.
Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, ka thënë se emërimi i Bordit të ri të SHSKUK-së nuk ka përfunduar, pasi është kërkuar interpretim për konflikt interesi për njërin nga të propozuarit për anëtar.
“Procesi realisht është para përfundimit. Një nga anëtarët e bordit të cilin ne e kemi propozuar. Po presim tash nga organet relevante, konkretisht nga Agjencia Antikorrupsion, nëse ka konflikt interesi ose jo...dhe sapo të kthehet, këtë e kemi dërguar para një kohe dhe sapo të kthehet përgjigjja do të procedohet”, tha tash Vitia.
Ai ka thënë se këtë opinion e kanë kërkuar nga Agjencia Kundër Korrupsionit, meqë emri i propozuar është zyrtar i lartë, por nuk e ka zbuluar identitetin e tij. KOHA ka mësuar se bëhet fjalë për sekretarin e Ministrisë së Shëndetësisë, Naim Bardiqi.
SHSKUK-ja nuk ka drejtor prej korrikut të vitit të kaluar. Asokohe, drejtori i atëhershëm Valbon Krasniqi ishte dorëhequr pas paralajmërimit për shkarkimin e tij.
Ministria e Shëndetësisë ka me shumë se dy vjet që udhëhiqet nga njerëz të propozuar nga ose të Vetëvendosjes.
Për dy vjet nuk është zgjedhur as kryeshefi i Agjencisë së Barnave. Në fakt, ky institucion është pa kryeshef qe rreth 5 vjet. Janë ndërruar disa herë disa ushtrues të detyrës.
Ministri Vitia ka deklaruar që edhe për këtë pozitë konkursi është në proces.
“Është deklaruar edhe konkursi për kryeshef të AKPM-së”, tha Vitia.
Shumica e institucioneve kryesore shëndetësore tash e dy vjet gati janë me ushtrues detyre. Në këtë periudhë edhe pozita e ministrit për rreth 6 muaj ishte me ushtrues detyre, e edhe ajo e drejtorit të SHSKUK-së. Me ushtrues detyre është edhe Fondi i Sigurimit Shëndetësor.