Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, deklaroi se Ligji për barnat do të jetë rregullues i çmimeve të barnave në Kosovë, si dhe t’u mundësojë qytetarëve që të blejnë barna me çmime të lira.
Ai tha në Konfrontin e KTV-së të mërkurën se Kosova dhe Bjellorusia janë vendet e vetme në Evropë që s’e kanë pasur këtë ligj, e kjo mungesë e ligjit sipas tij, ka ndodhur edhe për shkak të lobeve.
“Patëm premtuar se do ta bënim atë, por ndodhi pandemia, por tash ky ligj është adresuar në Qeveri. Tash pres nga pozita dhe opozita që ta votojnë këtë ligj pasi përfituesit e vetëm janë qytetarët. Kjo e rregullon edhe tregun farmaceutik, pasi edhe shumë farmacistë e kanë përshëndetur këtë ligj, duke vënë një tavan të çmimeve. Farmacistët do ta bëjnë dallimin me kualitet”, deklaroi Vitia.
Vitia tha se Ligji do të kalojë patjetër pasi është i nevojshëm si dhe ka marrë përkrahjen e kryeministrit Albin Kurti. Ai tha se me Ligjin e barnave, tregu i farmacistëve do të jetë i rregulluar në mënyrë të duhur.
“Barnat që janë detyruar qytetarët t’i blejnë në Maqedoni, tash mund t’i blejnë me çmime edhe më të lira në Kosovë...Një pjesë e farmacistëve, jo të gjithë, kanë qenë të papërgjegjshëm dhe kanë abuzuar me termin tregti e lirë”, shtoi ai.
Ministri tha se rritja e buxhetit për shëndetësinë tregon se Qeveria Kurti e ka në prioritet këtë sektor.
-
Vitia për çmimet e barnave: Do të jenë të njëjta kudo dhe më të ulëta
-
Miratohet projektligji që rregullon çmimet e barnave
-
Kaos me çmimet e barnave, dallim deri 100 për qind nga barnatorja në barnatore
-
Ministria e Shëndetësisë rishikon çmimin e produkteve medicinale
-
Ministri Vitia pa përgjigje për mungesën e barnave esenciale