Në shkollën fillore “Skënder Çeku” në fshatin Qyshk të Pejës, persona ende të panjohur kanë vjedhur ditarë të shkollës.
Rastin e ka konfirmuar Policia e Kosovës në raportin e saj të premten.
Sipas Policisë, një punëtor i shkollës kishte raportuar të enjten në mëngjes se të dyshuar të panjohur kishin depërtuar brenda shkollës ku i kishin vjedhur tre ditarë dhe policia kishte dalë në vendngjarje dhe po merret me rastin.
Drejtori i Arsimit në Pejë, Besim Avdimetaj, e ka konfirmuar gjithashtu këtë rast. Sipas tij, dikush e kishte thyer dritaren, kishte hyrë brenda në shkollë dhe i kishte vjedhur ditarët. Ai ka thënë se nuk e dinë se ditarët e të cilave klasa janë vjedhur.
“Nuk e di cilët ditarë janë vjedhur, por hetuesia është duke u marrë me rastin”, ka thënë Avdimetaj.
Koha Ditore ka tentuar të premten disa herë ta kontaktojë përmes telefonit drejtoreshën e shkollës, por ajo nuk ka qenë e qasshme./ I.O.