Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Veteranët e Koshares kanë një porosi për skenën politike në vend

Foto: Koha

Veteranët e luftës së Koshares, me një letër i janë drejtuar skenës politike në vend, duke kërkuar që të heqin dorë nga ambiciet personale e interesat e ngushta grupore e partiake dhe të vihen në interes të funksionalizimit të shtetit.

Shoqata e Veteranëve të Luftës së Kosharës ““Brigada 138 – Agim Ramadani” thotë se është moment kritik kur klasa politike duhet të reflektojë kulturë institucionale, vetëdije shtetërore dhe shtet formuese, përgjegjshmëri politike-institucionale dhe diplomaci konstruktive për të ruajtur pozicionin ndërkombëtar të Kosovës, garancitë dhe garantuesit e pavarësisë së Kosovës dhe shtetndërtimit, natyrisht, të udhëhiqeni nga vlerat nacionale me karakter integrues dhe promovuese të paqes.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Kjo është letra e plotë e “Brigadës 138 - Agim Ramadani”:

Ne veteranët e Luftës së Koshares, duke e parë gjendjen e paragjykuar pas zgjedhore, ju bëjmë thirrje spektrit politik në Kosovë, që të tejkalojnë ambiciet personale, interesat e ngushta grupore-partiake dhe të vihen në mbështetje të shtetit të Republikës së Kosovës, interesave të tij dhe bërjes së tij shtet funksional.

Në këtë ju obligon besimi i dhënë i qytetarëve të Kosovës, pritjet e tyre dhe rekomandimet e partnerëve strategjikë ndërkombëtarë për stabilitet politik dhe institucional. Prioritet janë krijimi i institucioneve të Kosovës dhe shtyrja përpara e agjendave politike vendore dhe në konstalacion ndërkombëtar. Na obligon parimi politik se interesat e vendit dhe raportet me partnerët strategjikë, duhet të determinojnë sjelljen dhe vendim-marrjen politike.

Është moment kritik kur klasa politike duhet të reflektojë kulturë institucionale, vetëdije shtetërore dhe shtet formuese, përgjegjshmëri politike-institucionale dhe diplomaci konstruktive për të ruajtur pozicionin ndërkombëtar të Kosovës, garancitë dhe garantuesit e pavarësisë së Kosovës dhe shtetndërtimit, natyrisht, të udhëhiqeni nga vlerat nacionale me karakter integrues dhe promovuese të paqes.

Historia më e re e Kosovës njeh burrështetas (siç ishte presidenti historik Dr. Ibrahim Rugova), i cili në momente kritike për shtetin, diti të tejkalojnë vetveten, dhe diti të dalë jo njëherë, mbi interesat partiake, të unifikojë spektrin politik vendor, për t’u vënë në shërbim të interesave të shtetit.

Çdo gjë i ka rrënjët në tokë, veç liria i ka në gjak. Kjo do të thotë se para nesh është Kosova, prapa nesh është historia, që na obligon që të marrim vendime në të mirë të kombit dhe të atdheut. Prandaj, duhet të kujdesemi që veprimet tona, si do të vlerësohen në të ardhmen prej Zotit dhe Historisë.