Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Akademia e Shkencave mbyll vitin “me vetëm” 15 publikime

ASHAK

Akademia e Shkencave dhe Arteve e Kosovës brenda një viti ka publikuar 15 projekte e botime. Në krahasim me të, ajo e Serbisë ka publikuar mbi 50 projekte e botime. Mungesa e zhvillimit të projekteve shkencore, është e dukshme edhe në institucionet e arsimit të lartë. Buxheti prej 0.7 për qind që ndahet nga Ministria e Arsimit, asnjëherë nuk shpenzohet, në mungesë të interesimit për të bërë kërkime shkencore.

Pesë projekte e 10 botime ka publikuar në vitin 2022 Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovë (AShAK), për të cilën çdo vit ndahen mbi 1 milion euro.

“Arbnishtja e Zarës”, “Kosova në fushën e diplomacisë në Francë” e “ Platformë për zhvillim të qëndrueshëm të sektorit energjetik Kosovë-Shqipëri”, janë disa nga publikimet e tyre.

Në vitin paraprak kishte publikuar 1 projekt dhe 19 botime. “Gjykata Ndërkombëtare e drejtësisë për Kosovën”, “Ideologjia e gabimit gjuhësor”, “Platformë për rimëkëmbjen e arsimit në Kosovë” ishin disa nga publikimet.

Ajo e Serbisë, sipas të dhënave nga arkiva digjitale brenda një viti ka publikuar mbi 86 projekte e botime, të cilat ndërlidhen me fushën e shëndetësisë.

Anëtari korrespodent i Akademisë së Shkencave, Bardh Rugova, ka pranuar se ka rënie të publikimeve, mirëpo thekson se Serbia nuk është shembull për t’u ndjekur.

Edhe Buxhovi: Ka akademik që ka marrë deri në 7 mijë euro në muaj e s’kemi një libër kredibil për historinë e Kosovës Arbëri Buxhovi: Ka akademik që ka marrë deri në 7 mijë euro në muaj e s’kemi një libër kredibil për historinë e Kosovës

“Kemi një numër të madh të botimeve të cilat janë të akademikëve, ndoshta në mandatin e fundit janë më të rralla, për shkak se edhe akademitë i kanë politikat e vetat, do të thotë vjen një udhëheqje që i sheh pak ma ndryshe. Por nëse flasim për 20 vjetët e fundit, atëherë mund të themi se ka botime të shumta”, ka thënë Rugova.

Sipas tij, Akademia duhet të fokusohet në promovimin e mendimit kritik dhe në krijimin e sistemit të vlerës.

“E keqja e kësaj situate është se as kjo akademi, e as Universiteti i Prishtinës, dhe sidomos institucionet përgjegjëse që i kanë, nuk po mund të arrijnë që të krijojnë një sistem të këtillë”, ka thënë ai.

Bashkëpunimi i institucioneve me akademinë, është vlerësuar si jetik për zhvillimin e shtetit. Sipas Rugovës mungon një bashkëpunim i tillë.

“Ajo që është e çuditshme është se sado që ka një respekt për punën e akademisë dhe për veprimtarinë e akademisë, sa herë ka grupe punuese për çështje të ndryshme, disi anashkalohet puna e akademisë. Sa që mund të ketë një bord i njerëzve të pavarur, do të duhej të ishin gjithmonë njerëzit e akademisë dhe mendimi i akademisë”, ka thënë ai, i cili shtoi se ka filluar të përkrahen personat me mungesë të njohurive të çështjeve sociale e ekonomike. “Vazhdimisht po shohim njerëz që janë shumë të zhurmshëm për mosdijen e tyre, nuk dinë por janë shumë të zhurmshëm, shprehin mendimin e tyre, thuajse se artë çka ata janë duke e thënë është e vërteta absolute”.

Sipas profesorit të pensionuar në fushën e Telekomunikacionit, Ismet Hamiti, projektet shkencore të Akademisë nuk janë me interes për zhvillimin e vendit. Ai përmend një kapitull të librit “Post War” të autorit Tony Judt, ku flitet për Kosovën, të cilën ka disa të pavërteta, që sipas Hamitit, është rezultat i mungesës së publikimeve për të faktuar historinë e shqiptarëve.

“Në atë kapitull i ka disa gabime që i thotë për Kosovën edhe pse është studiues jashtëzakonisht profesional, për shembull rritja e numrit të shqiptarëve në Kosovë, me ardhjen e pasluftës të shqiptarëve nga Shqipëria, kjo është një e pavërtetë totale, porse defekti dhe faji jonë, është se ne nuk kemi vepra ku ai mund t'iu referohet, e në Serbi ka aq shumë vepra të rreme, shumica që ia kanë imponuar një konkludim të tillë autorit”, ka thënë Hamiti, i cili shtoi se ka mungesë të komunikimit me shtetet e tjera përmes shkencës. “Komunikimi me botën nuk bëhet me vepra folklorike por me vepra të dokumentuara, ku mund t'i referohen me besueshmëri, e kjo punë i ka munguar komunikimit shkencor të Kosovës me botën”.

Edhe Panairi i Librit Akademik bashkon veprat shkencore, promovon studimet Kulturë Panairi i Librit Akademik bashkon veprat shkencore, promovon studimet

Akademia e Shkencës më 20 dhjetor feston 47-vjetorin e themelimit. Në vitin 2004 Kuvendi i Kosovës miratoi Ligjin për ASHAK-un, i cili i siguroi pavarësi dhe financa nga buxheti shtetëror. Pastaj, ligji për ASHAK, i miratuar në fund të vitit 2015 nga Kuvendi e përcakton atë si institucionin më të lartë të shkencës dhe të artit në vend, veprimtaria e të cilit, promovimi, kultivimi, nxitja e zhvillimi i mendimit shkencor dhe i krijimtarisë artistike, është me interes të veçantë publik. Sipas këtij ligji, Akademia është institucion i pavarur në fushën e shkencës dhe të artit, të cilit qeveria duhet t’i sigurojë kushte për punë dhe zhvillim. Prej vitit 2007, kur u pavarësua tërësisht me buxhet vetanak e deri më 2022, mbi 14 milionë euro janë marrë nga buxheti shtetëror.

Sipas raportit të organizatës “Integra” me autorë Shkelzen Gashi, është kritikuar puna e ASHAK-ut, duke u vlerësuar e mangët në zhvillimin e shkencës dhe të artit, në përputhje me nevojat e vendit

“ASHAK-u nuk e ka realizuar asnjë projekt shkencor me interes për zhvillimin e vendit. Është e paqartë se çfarë kujdesi ka treguar ASHAK-u për krijimin dhe avancimin e kuadrove shkencore, sidomos të brezit të ri”, thuhet në raportin e publikuar në vitin 2018.

Mungesa e zhvillimit të projekteve shkencore, është e dukshme edhe në institucionet e arsimit të lartë, pranojnë vetë zyrtarët. Buxheti prej 0.7 për qind që ndahet nga Ministria e Arsimit, asnjëherë nuk shpenzohet, në mungesë të interesimit për të bërë kërkime shkencore.

“Edhe në Ministri të Arsimit i gjithë buxheti për shkencën nuk arrin të shpenzohet për aq sa është i alokuar, ne kemi obligim dhe punë se si t’i gjejmë dhe t’i motivojmë ata për hulumtime shkencore, të rinjtë e gjithë shkencëtarët për të punuar në mënyrë të mirëfilltë në shkencë”, pati deklaruar ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, gjatë një raportimi në muajin nëntor para deputetëve të Komisionit parlamentar për Arsim.

Sipas profesorit të Fakultetit të Inxhinierisë Elektrike dhe Kompjuterike, Blerim Rexha, arsyeja e mosshpenzimit të buxhetit të ministrisë është ndarja e vogël e shumave për përfituesit.

Edhe Kosova e fundit në rajon për nga performanca në arritjet shkencore Arbëri Kosova e fundit në rajon për nga performanca në arritjet shkencore

“Askush nuk ka arritur ta shfrytëzojë këtë buxhet, sepse me projektet e vogla që i mbështet ministria, një projekt që e kam fituar edhe unë, është rreth 6 mijë euro, është e pamundur që të harxhohet buxheti prej 20 milionë euro me shuma prej 6 mijë euro, prandaj ministria e Arsimit duhet të ndajë shuma më të mëdha për individ”, ka thënë ai.

Universiteti i Prishtinës ndan vetëm 1 për qind të buxhetit total vjetor për hulumtime shkencore, që i bie rreth 300 mijë euro në vit. Sipas profesorit Rexha, për të bërë punë shkencore vetëm për një projekt nevojiten shuma më të mëdha se ato që i ndajnë institucionet për stafin akademik.

“Ka disa faktorë, në radhë të parë vjen mos shtytja e institucionit, Universiteti i Prishtinës vite më herët është dashur që kultura kërkimore të mbjellët qysh në fazat e hershme siç janë asistentët e rinj, dhe pastaj të profesorët seniorë, edhe mbështetja që Universiteti është dashur t’ia japë stafit të vet për kërkime shkencore. Kjo mosmbështetje ka ardhur si pasojë e buxhetit të zvogëluar”, ka thënë ai.