Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Vesna Pusiq në PIKË me Veton Surroin

Në episodin e 54-t të podcastit PIKË me publicistin Veton Surroi, e ftuar është ish-ministrja e Jashtme e Kroacisë, Vesna Pusiq. 
 

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Pusiq: Sa më shumë pasurohet një udhëheqës në pushtet, aq më shumë i afrohet Putinit

22 min. më parë / 17 maj 2026 20:30
Vesna Pusiq

Ish-ministrja e Jashtme e Kroacisë, Vesna Pusiq ka deklaruar se liderët që pasurohen gjatë kohës sa janë në pushtet priren të afrohen me presidentin rus Vladimir Putin dhe të largohen nga vlerat evropiane.

Në një bashkëbisedim në podcastin PIKË me publicistin Veton Surroi, Pusiq u shpreh se propaganda kundër Bashkimit Evropian në Serbi ka qenë intensive për më shumë se një dekadë dhe ka ndikuar ndjeshëm në opinionin publik.

Sipas saj, në diskursin e brendshëm politik në Serbi, BE-ja shpesh paraqitet si neutrale ose edhe armiqësore, ndërsa Kina dhe Rusia promovohen si mbështetëse të vendit.

Ajo përmendi edhe rastin e kryeministrit hungarez Viktor Orban, për të cilin tha se nga një mbështetës i demokracisë dhe integrimit evropian u shndërrua në figurë të afërt me Kremlinin.

“Në BE, vetoja e tij quhej vetoja ruse, vetoja e Putinit”, ka thënë Pusiq, duke shtuar se u deshën 16 vjet për të krijuar një shumicë politike që mund ta sfidonte atë në Hungari.

Sipas saj, ekziston një model i dukshëm në Evropën Lindore.

“Sa më shumë pasurohet një udhëheqës në pushtet, aq më shumë i afrohet Putinit dhe aq më shumë largohet nga Evropa”, deklaroi ajo.

Pusiq deklaroi se kjo, sipas saj, mund të shihet te presidenti serb Aleksandar Vuçiq, lideri i Republikës Sërpska, Milorad Dodik dhe Orbani.

Duke folur për mbështetjen ndaj integrimit evropian në Serbi, Pusiq ka thënë se fakti që përkrahja për anëtarësim në BE është rreth 30 për qind është pasojë e drejtpërdrejtë e propagandës shumëvjeçare kundër Evropës.
 

Surroi: Jetojmë në një zonë luftërash dhe shtetesh të papërfunduara

45 min. më parë / 17 maj 2026 20:08
Veton Surroi

Publicisti Veton Surroi ka deklaruar se Ballkani Perëndimor vazhdon të mbetet një hapësirë me konflikte dhe procese të papërfunduara, duke e cilësuar rajonin si “një zonë luftërash dhe shtetesh të papërfunduara”.

Këto komente Surroi i bëri gjatë një bashkëbisedimi në podcastin PIKË me ish-ministren e Jashtme kroate, Vesna Pusiq, ku rikujtoi idetë e ekonomistit kroat Branko Horvat, i cili që në vitet ’60 kishte paralajmëruar fundin e modelit të centralizuar socialist në Jugosllavi dhe nevojën për demokratizim.

Sipas Surroi, Horvat më vonë e kishte parë Kosovën si një “provë lakmusi” për gjendjen reale të Jugosllavisë dhe për mundësinë e mbijetesës së saj.

“Në fund të viteve ’60, duhej të niste një proces i ndryshëm ekonomik për të çuar në demokratizim. Dhe pastaj, 20 vjet më vonë, ai u mor me Kosovën, ku pa se Kosova ishte në fakt një letër lakmusi e gjendjes së shoqërive në ish-Jugosllavi dhe mundësisë së mbijetesës së Jugosllavisë”, ka thënë Surroi.

Ai shtoi se Kosova ishte dëshmi për sllovenët, kroatët dhe popujt e tjerë se Jugosllavia “nuk ekzistonte më” dhe se ishte “e pushtuar nga Serbia”.

Sipas Surroit, sot ky “test i lakmusit” është zgjeruar në gjithë rajonin, i cili vazhdon të përballet me çështje të pazgjidhura politike dhe shtetërore.

“Ne jetojmë në një zonë luftërash të papërfunduara dhe shtetesh të papërfunduara, nisur nga Serbia, Kosova, Mali i Zi dhe Bosnja e Hercegovina”, deklaroi ai.

Në këtë kontekst, Surroi vlerësoi se anëtarësimi i Kroacisë në Bashkimin Evropian ka përmbyllur një proces historik të konsolidimit shtetëror për atë vend, ndërsa pjesa tjetër e rajonit mbetet ende në një fazë të papërfunduar politike dhe institucionale.