Legjenda thotë se kur kryeministri Ramush Haradinaj ishte në të 20-at e tij, punonte si roje sigurimi, ose bodyguard në dyert e diskove të Evropës Perëndimore.
Praktika thotë se të tillë punëtorë me muskuj ballafaqohen me të tjerë muskuj që përbëjnë problem, sidomos kur janë të dehur, raporton KTV.
Por, muskujt i pari i Qeverisë i ka përdorur të dielën në mesditë, para qindra njerëzve e dhjetëra kamerave, ndaj një zonje.
Pak kohë pasi që kryeparlamentari Veseli ia lëshoi mikrofonin zonjës së panjohur nga Shqipëria, kryeministri u ngrit vetë dhe e largoi me forcë nga foltorja për të vazhduar programin.
Një ditë pas, pa asnjë shenjë pendimi, Haradinaj la të kuptojë se do të përdorte më shumë forcë nëse do të ballafaqohej me një burrë.
Por, kjo është vetëm një në serinë e veprime e deklaratave kundërthënëse të kreut të AAK-së.
Në vitin e largët 2005, në një manifestim për të kujtuar luftën e UÇK-së, në Stadiumin e Prishtinës, Haradinaj i shau me nënë, ata që i quajti Komandantë të Bllacës (Audio).
Vetëm pak kohë më vonë, Haradinaj u detyrua të shkojë në Hagë dhe ishte jashtë skenës politike, me pak pauza, deri në vitin 2012.
Tepihu i kuq i Thaçit, e bëri të besojë se ky do t’ia lëshonte postin e kryeministrit, e kur kjo nuk ndodhi, Haradinaj u hodh në sulm të madh opozitar.
Në një bisedë me tash njërin nga 5 zëvendëskryeministrat, për Thaçin tha se djali nga Broja nuk mundet ‘me ia lëvizë kufirin’. (Video Tribuna)
Po për kufirin ia hodhi për fytyre hartën Murat Mehës, dhe në një rast e quajti me termin ‘peder’, zhargon fyes për komunitetin LGBT.
Në disa protesta gazi doli, por askush nuk iu afrua, e në Kuvend, njerëzit e Kadri Veselit i quajti ‘horra’.
Ish-kryeministrin Isa Mustafa e kërcënoi me ‘rrëmbim nga populli’, nëse nuk i ndal arrestimet e deputetëve.
E kur nuk e lejuan të futet në Kuvend, e përdori forcën fizike dhe termin ‘budallë’ për të hyrë brenda.
Nuk u rehatua as kur u bë kryeministër. Në disa përplasje të forta me opozitën i ra tavolinës e i pyeti deputetët ku po ju dhemb.
Dhunë nënkuptoi edhe kur tha se ishte person i sporteve të rënda.
Pasi ia rriti vetes rrogën, e shkoi në pushim luksoz në Zvicër dhe i shau ndër dhëmbë ata që nuk i besojnë, nuk hezitoi ta pranojë që gjuan me armë në oda, sikurse zëvendësi i tij, Dardan Gashi, që është nën hetime.
Incidenti i pahijshëm në Prizren, ndodhi në seancën solemne të organizuar nga Kuvendi i Kosovës.